Provimi i maturës, teza e matematikës para mbylljes?

17/06/2016 00:00

44 mijë maturantë kanë dhënë provimin e matematikës, një ndër provimet më të rëndësishme të maturës shtetërore. Provimi ka nisur në orën 10:00 dhe ka përfunduar në orën 12:30.

Provimi u parapri nga disa postime në rrjetet sociale ku në fakt u shpërnda një tezë që në fakt rezultoi e pavërtetë.

Maturanti: Provimi ishte i vështirë, por ata që kanë mësuar ja arrijnë t’ia dalin.

TCH: Pyetjet, të njëjta me atë tezë qarkulloi mbrëmë në rrjetet sociale ishin?

Maturanti: Jo, jo nuk kishin lidhje. Nuk ishte i vërteti. Ai i mbrëmshmi kishte shumë gabime si strukturë.

Në kundërpërgjigje, edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla publikoi tezën e cila nuk përputhet me atë të publikuar një natë më parë. Por kur kishin mbetur edhe 30 minuta nga përfundimi i provimit në një rrjet social u publikuan disa pyetje të tezës së provimit.
Teksa pyeten nga gazetarja e Top Channel për tezën e provimit, maturantët pohojnë se teza e publikuar 30 minuta nga fundi i provimit ishte e njëjta me atë që i ishte shpërndarë atyre.

Në klasë maturantët duhet të futeshin pa celular dhe po kështu mësuesit që monitorin mbarëvjtajen e provimit.

“Telefonat nuk na i lejuan, por edhe ne ishim të ndërgjegjshëm që nuk lejoheshin dhe i lamë jashtë që në fillim”, thotë një maturant.

Zëvendësministra e Arsimit, Nora Malaj thotë se provimi i maturës ishte korrekt dhe asgjë nuk mund ta cenojë.

“U munduan dje në orën 23:00 të nxirrnin pseudo tezën e sajuar në mënyrë që maturën shtetërore ta bëjnë patjetër pis. Përsëri, para përfundimit të provimit, mediat sociale hedhin idenë e daljes së një pjese të tezës sipas varjantit B2. Do t’i marrim informacionet nga të gjitha burimet dhe do të nxjerrim përballë përgjegjësisë penale të gjithë atë që do të detyrohen dhe do të vënë dorë mbi maturën shtetërore. Garantoj standardin, garantoj cilësinë se nuk ka shans që teza të dalë dhe të bëhet shitje tezash siç mund të ketë ndodhur në kohëra të tjera”, shprehet Malaj.

Edhe pse mund të mos kenë patur ndikim në provim, mbetet për t’u parë se si dolën pyetjet më para se sa të përfundonte provimi.

Top Channel