Përgjimet, hetimi vazhdon. Manjani: Të gjithë meritojmë të dimë të vërtetën

17/06/2016 00:00

Pas klimës së ashpër kundër gjyqtarëve, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani u kujton politikanëve Kushtetutën, e cila përkufizon ndarjen e pushtetit ekzekutiv nga gjyqësori.

“Ky është standardi kushtetues. Nëse përtej këtij parimi ka sjellje të tjera, ky nuk është problemi im”, u shpreh ai.

Sipas Manjanit, vendimi i Apelit që riktheu në detyrë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, nuk do të thotë pushim i hetimeve për pajisjen e përgjimit.

“Ju ftoj të bëni durim për pajisjen e përgjimeve, pasi hetimet po vazhdojnë. Dua të them që po vazhdojnë intensivisht. Unë vetë i kam dërguar letër-porosi Italisë për thellim të hetimeve edhe atje sepse opinioni publik e meriton ta dijë të vërtetën dhe këtë të vërtetë nuk ua jep askush tjetër, përveç organeve të drejtësisë”, thotë ministri i Drejtësisë.

Megjithëse tema e pajisjes është një çështje e mprehtë, Manjani nuk la pa i dhënë kësaj historie edhe ngjyra rozë.

“Unë jam njeri i hapur. Tani çfarë doni t’ju them unë, që kam dashnore?!”, tha ai.

Top Channel