Greqia, e shqetësuar për pronat e Kishës në Shqipëri

17/06/2016 00:00

Pronat e Kishës Ortodokse Autqefale të Shqipërisë kanë rikthyer tensionet dhe përplasjet në distancë mes Ministrisë së Jashtme greke dhe asaj shqiptare.

Fillimisht ka qenë minsitri grek Nikos Kotzias, i cili gjatë një interpelance të thirrur nga deputetit i Demokracisë së Re, Theodoros Karaoglou për pronat e minoritetit grek në Shqipëri ka theksuar se interesi i Greqisë mbetet të pronat e kishës.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka monitoruar rregullisht zhvillimet që lidhen me procesin e kthimit të pronës që ishte shpronësuar nga regjimi i Hoxhës në Shqipëri. Sigurisht që është e kuptueshme se interesi ynë është fokusuar veçanërisht në diasporën tonë dhe të drejtat e pronës së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, ka deklaruar Kotzias.

Por Ministria e Jashtme e Shqipërisë kritikon qëndrimet e herëpashershme të Greqisë, sa herë që flitet për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

“Sa herë që shteti grek mban qëndrime lidhur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ortodoksët në territorin e shtetit shqiptar, ai ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Glevin Dervishi.

Më tej, Dervishi thekson se çështjet juridike pronësore ende të pazgjidhura të Kishës janë në trajtim të vazhdueshëm dhe do të shqyrtohen në bazë të ligjit dhe në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Çështja e rikthimit të pronave në Shqipëri është një proces që prek shtetasit shqiptarë pa dallim etnie, feje apo kombësie”, ka shtuar Dervishi.

Zërit të Greqisë për çështjen e pronave të minoritetit i janë bashkuar si përherë edhe PBDNJ dhe OMONIA, të cilat me anë të një deklarate për shtyp e kanë cilësuar Rikualifikimin Urban të Himarës si një proces që ka për qëllim dëmtimin dhe çrrënjosjen e komunitetit helen të Himarës dhe ndryshimin demografik të saj.

Top Channel