Ministri Gjiknuri në Forumin Ekonomik në Rusi

17/06/2016 00:00

Në Shën Petërburgut të Rusisë po mbahet Forumi i 20 Ndërkombëtar Ekonomik ku po merr pjesë edhe ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Gjatë punimeve të Forumit, Gjiknuri u takua me ministrin e Energjisë së Rusisë, Alexander Novak, personalitete të tjera të fushës së energjisë dhe drejtues të kompanive botërore të naftës e gazit.

Gjiknuri u ndal tek situata globale në fushën energjetike dhe bashkëpunimi dypalësh në fushën ekonomike. Dy ministrat diskutuan edhe mbi zhvillimet e pritshme në fushën e energjisë, kryesisht tek nafta e gazi dhe politika diversifikuese që po ndjek Evropa, duke patur si pjesë të saj tanimë edhe Shqipërinë.

Që nga viti 2006 Forumi zhvillohet nën kujdesin dhe me pjesëmarrjen e Presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin. Pjesë e Forumit ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, Kryeministri i Italisë Mateo Renzi, ish-Kryeministri i Francës Nicolas Sarkozy etj. Të pranishëm në diskutime ishin edhe përfaqësues të kompanive prestigjioze botërore në naftë e gaz si Eni, Total, BP, Gazprom, Lukoil, Global Oil.
 
Çdo vit, ky Forum mbledh mbi 10 000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, përfshirë këtu krerët e shteteve dhe qeverive, drejtorët e kompanive të mëdha, ekspertë dhe personalitete të shkencës, shoqërisë civile dhe medias.

Top Channel