Homazhe në shumë vende për deputeten laburiste të vrarë në Britani

17/06/2016 00:00

Homazhe janë zhvilluar në mbarë botën në nder të deputetes britanike laburiste, Jo Cox, të qëlluar për vdekje një ditë më parë teksa vizitonte zonën e saj elektorale në Ëest Yorkshire.

Mes figurave të njohura, që i bënë nderimet e tyre 41-vjeçares, ishte dhe kandidatja presidenciale demokrate në Shtetet e Bashkuara, Hillary Clinton, e cila tha se “ndërprerja e jetës së saj në këtë mënyrë ishte e tmerrshme dhe mizore”, e shtoi se Britania dhe Amerika duhet të qëndrojnë të bashkuara kundër urrejtjes dhe dhunës.

Njerëzit vendosën tufa me lule e lanë shënime keqardhjeje për Cox në sheshin e Parlamentit, në qendër të Londrës.

Vrasja e ligjvënëses shkaktoi tronditje të thellë në mbarë vendin, e çoi në pezullimin e fushatës për referendumin e 23 qershorit. Raportet në media thonë se, ajo u qëllua me armë zjarri dhe me thikë. Përpara gjestit të tij ekstrem, agresori mësohet të ketë thirrur dy herë me të madhe: Vendosni të parën Britaninë.

Ai është identifikuar si një banor i zonës, Tommy Mair, 52 vjeç, dhe është arrestuar nga policia. Bashkëshorti i Cox, nënë e dy fëmijëve, tha për shtypin britanik se deputetja kishte luftuar me të gjitha forcat e saj për një “botë më të mirë”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel foli për një incident tragjik, dinamika e të cilit – sipas saj, – duhet të zbardhet sa më parë, por ndonëse e cilësoi veçanërisht të rëndë faktin që konfrontimi ka ndodhur hapur në publik, shefja e ekzekutivit gjerman u shpreh se nuk dëshiron ta lidhë këtë ngjarje dramatike me referendumin, ku do të vendoset nëse Britania do të vazhdojë të jetë pjesë e bllokut europian.

Top Channel