Orlando, Obama ngushëllon familjet e viktimave të masakrës

16/06/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama pati fjalë ngushëllimi, por asnjë përgjigje të thjeshtë gjatë vizitës së të enjtes, te familjarët në zi të viktimave të Orlandos, në përpjekje për të ndihmuar në shërimin e komunitetit të prekur, edhe pse hetuesit nuk po ia dalin dot të nxjerrin motivin e asaj masakre në klubin e natës për homoseksualë.

E ndërsa Orlando përgatitet të varrosë viktimat e parë të asaj masakre, Obama dhe zëvendësi i tij, Joe Biden, kaluan orë të tëra në takime private me të mbijetuarit e sulmit, të afërmit e viktimave, por edhe oficerët e policisë që iu përgjigjën në vendngjarje agresorit ditën e dielë, kur 49 persona mbetën të vdekur.

Vizita pa shumë bujë reflekton edhe njëherë sfidën që ka presidenti amerikan për të gjetur diçka domethënëse mbi sulmin e fundjavës së kaluar, që përhapi një sërë ndjenjash frike dhe terrorizmi, por edhe armësh e dhune ndaj homoseksualëve.

Thirrja e Obamës për solidaritet dhe ndjeshmëri është në kontrast me debatin e turbullt politik në Uashington, si dhe ethet e fushatës që ka sjellë përçarje që prej sulmit të Floridës. Senatori i Arizonës, John McCain, një republikan dhe kritik i përhershëm i Obamës, akuzoi presidentin se ishte “drejtpërdrejt përgjegjës” për masakrën, sepse – siç tha ai, – Obama ka lejuar rritjen e grupit të Shtetit Islamik nën qeverisjen e tij.

Agresori, Omar Mateen kishte lëshuar disa thirrje gjatë sulmit, duke bërë të ditur se ishte mbështetës i Shtetit Islamik. Por drejtori i CIA-s, John Brennan bëri të ditur këtë të enjte se, agjencia e drejtuar prej tij nuk kishte gjetur ende asnjë lidhje mes agresorit dhe organizatës së huaj terroriste.

Shtëpia e Bardhë, gjithsesi nuk i është përgjigjur komenteve të McCainit, të paktën deri më tani.

Hetuesit janë përpjekur të rindërtojnë lëvizjet e terroristit 20-vjeçar, përpara se të hapte zjarr në klubin e natës “Pulse”, përfshi edhe atë se çfarë mund të ketë ditur bashkëshortja e tij mbi këtë sulm. Zbulueshmëria e këtij krimi ka shkuar deri atje sa, Komiteti për Sigurinë Kombëtare në Senatin amerikan i ka dërguar një letër rrjetit social “Facebook”, përmes së cilës i kërkon ndihmë në rishikimin e mesazheve të lëna apo të dërguara nga llogaria e lidhur me Mateen, përpara dhe gjatë sulmit.

Top Channel