Irlanda e Veriut merr fitoren e parë në një Europian, 2-0 ndaj Ukrainës

16/06/2016 00:00

Debutuesit e këtij kompeticioni, Irlanda e Veriut ka arritur të marrë një fitore me shumë vlera ndaj një Ukraine nga e cila pritej shumë më tepër.

Pjesa e parë mes dy ekipeve të Grupit C ka qenë e barabartë, por gjithçka ka ndryshuar pak pas rinisjes së topit në mesin e fushës, kur në minutën e 49 Gareth McAuley ka shënuar golin e parë të ndeshjes duke kaluar në avantazh Irlandën e Veriut.

Ukraina është përpjekur për minuta të tëra që të shënojë golin e barazimit, çka do t’i jepte sërish shpresa për kualifikim pas gjithçka do të varej nga ndeshja e fundit brenda grupit, por nuk ia ka dalë.

Por atë që nuk ia ka dalë dot ta bëjë Ukraina, e ka bërë Niall McGinn i cili në minutat shtesë ka dyfishuar rezultatin, çka komplikon akoma edhe më tepër situatën e Ukrainës, e cila e shikon veten pothuajse jashtë garës brenda Grupit C.

Me këtë fitore Irlanda e Veriut barazon provizorisht Gjermaninë dhe Poloninë me nga tre pikë, ekipe këto të cilat do të përballen sonte në 21:00 në “Stade de France”.

Top Channel