Liberalizimi i vizave për Kosovën, Fajon: Kushtet janë përmbushur

16/06/2016 00:00

Komisioni për lirinë qytetare, drejtësinë dhe punët e brendshme të Parlamentit Europian zhvilloi të enjten debatin e parë lidhur me raportin për heqjen e vizave për Kosovën. Draftraporti është përgatitur dhe prezantuar të enjten nga deputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila është zgjedhur si raportuesja për procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën.

Në paraqitjen e saj, Fajon ka rikujtuar se Kosova ka përmbushur 90 kritere në këtë proces, shumë më tepër sesa ato që u janë vendosur shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo tha se qytetarët e Kosovës, aktualisht mund të udhëtojnë pa viza në vetëm 4 shtete, dhe se ky izolim duhet të marrë fund përmes liberalizimit të vizave.

Edhe pse theksoi se kushti që i është vënë Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi ka qenë një kusht shtesë, ajo bëri thirrje që marrëveshja të ratifikohet dhe siguroi deputetët e Parlamentit Europian se qeveria e Kosovës është e përkushtuar ta bëjë një gjë të tillë.

Duke adresuar shqetësimet e disa shteteve për pasojat e mundshme në rast të heqjes së vizave për Kosovën, Fajon pohoi se autoritetet e Kosovës po zbatojnë një sistem të përshtatshëm të dhënies së dokumenteve me standarde të larta të sigurisë dhe se anëtaret e Bashkimit Europian do t’i kenë në dispozicion mekanizmat për pezullimin e shpejtë të regjimit pa viza, në raste të keqpërdorimeve.

Raporti i Fajon do t’i nënshtrohet votimit gjatë një seancë plenare në vjeshtë.

Top Channel