Letra e Ramës për “Kuqezinjtë”: Europiani ynë nuk ka mbaruar

16/06/2016 00:00

“Fort të dashur çuna!  I dashur Gianni!  Vëllezër kuqezinj!”. Kështu e fillon letrën e tij kryeministri i vendit, Edi Rama publikuar në rrjetin social Facebook.

“Jo sa ju, po si ju dhe 10 milionë shqiptarë, ndjehemi  të hidhëruar me pozicionin e Shqipërisë në tabelën e grupit, e cila nuk tregon çfarë shfaqët në dy ndeshjet e jashtëzakonshme që keni zhvilluar’, u drejtohet më tej futbollistëve Kryeministri.

Ai e konsideron ndeshjen me Francën si më të bukurën e historisë së Kombëtares. Rama e konsideron fundin e ndeshjes të pamëshirshëm.

Të 24 mijë shqiptarët e pranishëm në shtëpinë e pretendentëve për kampionë, thote kryeministri, nuk dolën dot të gëzuar, por padyshim krenarë.

“Krenarë u larguan nga sheshet e mbushura plot të Shqipërisë e të Kosovës për të ndjekur duelin tuaj heroik, edhe mijëra e mijëra të tjerët që e veshën mbrëmë kuqezi trupin e trojeve tona. Kryeministri falenderon të gjithë futbollistët”, shton Rama.

“Unë dua t’ju falenderoj sot, me mirënjohjen më të thellë për gjithçka ju treguat mbrëmë, në finalet tona të para në histori ku Shqipëria është falë jush; ku 10 milionë shqiptarë janë pjesë e kësaj feste madhështore të futbollit europian, falë jush; ku falë jush, populli ynë po vazhdon të marrë një shembull të pakonkurueshëm të gjërave të jashtëzakonshme që ne shqiptarët mund të bëjmë, nëse jemi të gatshëm të japim më të mirën që kemi brenda nesh, duke bërë çdo përpjekje e sakrificë”, vijon ai.

Kryeministri, si një ndjekës i futbollit i drejtohet kombëtares me një thënie të një ndër trajnerëve më të njohur në botë, Marcelo Bielesës.

“Europiani ynë nuk ka mbaruar ende. Pas një nate të trazuar nga befasia e rëndë e çastit të fundit, ju sot duhet të besoni më shumë se kurrë tek vetvetja dhe, siç thotë i madhi Marcelo Bielsa, në fjalimin e tij epik përpara skuadrës pas një humbjeje të pamerituar, “ta pranoni helmin e padrejtësisë me besimin se, po të vazhdoni të luani kështu, do ta merrni me siguri atë që meritoni”. Mbase ajo që ju meritoni do të vijë edhe në fushën e lojës pas ndeshjes së tretë, po mbase jo. Por jini të bindur se cilidoqoftë rezultati përfundimtar i fushës së këtyre finaleve të jashtëzakonshme për ngjyrat e Shqipërisë, duke vazhduar të luani si mbrëmë, ju do ta merrni të plotë me siguri atë që meritoni në zemrat e në mendjet e popullit tonë“, shton më tej ai.

Rama e mbyll letren me një tjetër thënie të marrë nga një tjetër trajner i famshëm, Colm O’Connell, trajneri irlandez i rekordmenëve botërorë kenianë të distancave të gjata: “Fituesit janë humbësa që dinë t’i vlerësojnë si duhet disfatat e tyre“.

Top Channel