Mogherini pranon propozimin e Kosovës për rinovimin e mandatit të EULEX-it

16/06/2016 00:00

Bashkimi Evropian ka pranuar ftesën e autoriteteve të Kosovës, që EULEX-it t’i vazhdohet mandati për dy vite dhe ka këmbëngulur në kërkesën për marrjen e rasteve të reja, si nga prokurorët, po ashtu edhe nga gjyqtarët.

Me këtë i është dhënë fund mospajtimeve midis Prishtinës e Brukselit për mandatin e Misionit evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, bën të ditur “Koha.net”.

“Koha Ditore” ka siguruar letërpërgjigjen, që përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe politikat e Sigurisë, Federica Mogherini ia ka përcjellë një ditë më parë Presidentit Hashim Thaçi. Letrat e shkëmbyera do të përdoren si instrumente të marrëveshjes ndërkombëtare për EULEX-in, që pritet të ratifikohet gjatë ditës në Kuvend.

Në letrën e saj, Mogherini ka shkruar se e pranon ftesën, në letrën që Thaçi ia kishte adresuar më 9 qershor, që mandati i EULEX-it të vazhdojë të zbatohet më tutje, siç është përcaktuar në veprimin e përbashkët “2008/124/CFSP”, të miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 4 shkurt të vitit 2008, si i ndryshuar, dhe letrat tona të përbashkëta të 4 shtatorit 2014 dhe 14 prillit 2014.

Midis të tjerash, në këtë shkresë është folur edhe për rastet e reja që do të pranohen nga misioni evropian.

“Përfaqësuesi Special i BE-së dhe EULEX KOSOVA do të vazhdojnë të ndihmojë institucionet, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në Kosovë në forcimin e mëtejshëm të një sistemi të pavarur të drejtësisë shumë- etnike dhe të shërbimit policore multietnike në përparimin e tyre drejt përmbushjes së standardeve evropiane në fushat e tyre përkatëse, duke përfshirë edhe kërkimin e rasteve të reja në rrethana të jashtëzakonshme nga EULEX Kosova”, thuhet në letrën e Mogherinit.

“Kosova ndan perspektivë evropiane me pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Gjatë zbatimit të mandatit të saj, EULEX KOSOVA do të kontribuojë në lehtësimin e progresit të Kosovës drejt integrimit të mëtejshëm me BE-në”.

Në anën tjetër, Thaçi paraprakisht kishte shprehur pajtimin në shkresën e tij që EULEX-i t’i udhëheqë të gjitha rastet që i ka aktualisht, e edhe të marr ndonjë të ri në raste të jashtëzakonshme. Megjithëkëtë, Brukseli zyrtar kishte shprehur mospajtimin me faktin se letra linte mundësinë që vetëm me vendim të Këshillit Gjyqësor dhe atij prokuroria, rastet e reja mund t’i kaloheshin EULEX-it.

Top Channel