Veseli pret Tahirin: Dialogu me Serbinë po fuqizion shtetësinë

16/06/2016 00:00

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri është pritur sot në një takim nga kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme politike në vend dhe për bashkëpunimin e koordinimin ndërinstitucional në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Ministrja Tahiri tha se, përmes dialogut po fuqizohet shtetësia e Kosovës, teksa po shuhen strukturat paralele dhe po shtrihet sovraniteti në tërë territorin e vendit. Ajo shtoi se Kosova po dëshmon se është një faktor paqeje dhe për një fqinjësi të mirë në rajon, e po avancon ardhmërinë e saj euroatlantike, çfarë dëshmohet edhe me faktin se hyrja në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, nënshkrimi i MSA-së dhe vendimi pozitiv për liberalizimin e vizave, janë padyshim edhe kontribute të këtij dialogu të Brukselit”, thuhet në njoftimin për media.

Në këtë takim, ministrja Tahiri u angazhua gjithashtu për një koordinim më të madh ndërinstitucional ku roli i Parlamentit është i pazëvendësueshëm në krijimin e konsensusit politik për çështjet e interesave të mëdha të vendit dhe në veçanti për agjendën euroatlantike.

“Ajo theksoi se Kosova ka një traditë të mirë në ndërtimin e konsensusit politik për qëllimet madhore të demonstruar që nga periudha e luftës për liri dhe tani në proceset e shtetëndërtimit dhe se kjo traditë na bënë të fuqishëm në tejkalimin e sfidave”, theksohet më tej në njoftim.

Nga ana e tij, kryeparlamentari Veseli shprehu kënaqësinë për takimin dhe siguroi bashkëpunimin e vazhdueshëm për çështjet e forcimit të shtetit, demokracisë, ekonomisë, sundimit të ligjit dhe forcimit të mëtejmë të pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Ai tha se dialogu është instrument i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve ndër-fqinjësore dhe për avancimin e integrimit të Kosovës në kuadër të Bashkimit Evropian dhe euroatlantik.

Top Channel