Trazirat në “Euro 2016”, 3 tifozë rusë dënohen me heqje lirie. Të tjerë deportohen

16/06/2016 00:00

Kreu ekstremist i djathtë i shoqatës së tifozëve rusë është dëbuar nga Franca pas dhunës së shfaqur gjatë ndeshjes mes Anglisë dhe Rusisë, e vlefshme për kampionatin europian dhe të zhvilluar në qytetin e Marsejës. Alexander Shprygin është mes 20 tifozëve rusë të deportuar nga autoritetet franceze.

Atyre iu vunë prangat ditën e martë, teksa ishin duke udhëtuar nga Marseja për në Lille, për të parë ndeshjen e dytë të Rusisë në grupe, atë kundër Sllovakisë.

Ndërkohë, 3 tifozë të tjerë rusë të arrestuar kanë marrë masa sigurie me burg deri në dy vite, për shkak të dhunës së shfaqur si brenda, ashtu edhe jashtë “Stade Velodrome”. Këta të fundit u ndaluan gjithashtu të hynin në Francë për një periudhë dyvjeçare. Tre të burgosurit morën respektivisht 12 muaj heqje lirie, 18 muaj dhe 24 muaj burgim.

Arrestimet e kryera nga autoritetet ligjzbatuese franceze kanë irrituar Moskën, e cila ka thirrur ambasadorin francez për t’i dorëzuar një notë proteste. Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme ruse paralajmëronte “për të mos nxitur edhe më tej ndjenjat antiruse”.

Zv.ministri i Jashtëm rus, Arkady Dvorkovich është cituar nga agjencia e lajmeve “Tass”, të ketë thënë se një listë e zezë me problematikët duhet krijuar që tani, përpara Botërorit të vitit 2018 në Rusi, për t’i parandaluar të tilla raste të përsëriten edhe në të ardhmen. Ai shtoi gjithashtu se, të akuzuarit për dhunë në Francë mund të përballen edhe me gjykimin në Rusi. “Thjesht duam të përcaktojmë se cilët individë e shkaktuan gjithë këtë rrëmujë”, tha ai.

Shoqata e Tifozëve të Rusisë, e drejtuar nag Shprygin, është një grup tifozësh i mbështetur nga Kremlini. Ai raportohet të ketë pikëpamje ekstremiste të djathta, ndërsa janë fotografuar shpesh herë duke kopjuar shenjën e përshëndetjes naziste.

Një deklaratë e këtij grupi bënte të ditur se kreu i shoqatës dhe 19 tifozë të tjerë janë transferuar në qendrën e deportimit, prej nga ku pritet dëbimi i tyre brenda 5 ditëve të ardhshme.

Top Channel