Shërbimi i kimioterapisë, qendër moderne me ndihmën e qeverisë italiane

16/06/2016 00:00

Pacientët që bëjnë kimioterapi pranë qendrës ditore në Shërbimin Onkologjik në QSUT tani kanë kushte më komode.

“Bëhet fjalë për kushte më komode në drejtim të mënyrës së marrjes së medikamenteve, që do të merren në një formë shumë të modernizuar, përmes pompave elektrike. Është një dyfishim i numrit të pacientëve që shtroheshin më parë”, u shpreh Dhurata Tarifa, shefe e shërbimit të kimioterapisë.

Ky shërbim ditor është përfshirë në investimet e programit të konvertimit të borxhit italain. “Rreth 50 pacientë në ditë do të marrin shërbim në këtë spital dhe padyshim ky investim sjell një mënyrë të re të shërbimit, kushte më të mira pune për mjekët. Duhet që veç ambjenteve të sjellim edhe kulturën e kushteve të reja”, tha Ogerta Manastirliu.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj theksoi prioritetin e qeverisë ndaj sëmundjeve tumorale, i cili nis që me parandalimin.

“Sikurse është në fokus të programit të qeverisë që sëmundjet tumorale të jenë prioritare në trajtimin tonë, vazhdojmë përpjekjet e bëra për të furnizuar këtë spital me më shumë barna. Me shërbimin e radioterapisë moderne që ka filluar para disa javësh dhe me shërbimin e sotëm rritet cilësia, numri i atyre që shërbehen por shtohen edhe elementë të rinj psikosocialë që praktikisht për këto sëmundje janë të domosdoshëm”, tha Beqaj.

Në inaugurimin e ambienteve të reja mori pjesë edhe ministri i Financave Ahmetaj dhe ambasadori italian në Tiranë.

Top Channel