Hemodializa edhe në Vlorë. Rama: Dëshmi e suksesit të bashkëpunimit me privatin

16/05/2016 00:00

Pacientët nga Vlora dhe rrethinat, të cilët kanë nevojë për të kryer hemodializë, për herë të parë  do ta marrin këtë shërbim në spitalin rajonal të Vlorës e pas ec e jakëve për vite me radhë drejt Tiranës apo Fierit dhe pritjeve të gjata për ta marrë këtë shërbim edhe gjatë orëve të natës.

Pacientja i drejtohet kryeministrit: Na ke gëzuar, na ke shtuar jetën, aq keq kemi qenë nga rruga. Ne shkonim 3 herë në javë në Fier.

“Ju a dimë për faleminderit që na sollët në shtëpinë tonë më në fund, nuk na latë të bridhnim nga një qytet në një tjetër, 3 herë në javë nga 4 orë. NË Tiranë dhe në Durrës e kam pasur turn i tretë”, shprehet një tjetër paciente.

Qendra e shërbimit të hemodializës në Vlorë u ngrit nëpërmjet partneritetit publik privat dhe me kosto më të ulët se sa ofrohej më parë.

“Shkurtim kohe për pacientin e familjarët. Nuk shpenzojmë më për transportin. Spitali paguante 3 herë në  javë për çdo transport dhe shkonte në vit, 600-700 euro për çdo pacient. Edhe shpërndarja e barnave me listën e re të rimbursimit do t’i marrin këtu dhe nuk ka më nevojë të vijnë në Tiranë”, u shpreh ministri Beqaj.

Kjo është një ndër 5 qendrat që hapen në vend gjatë këtij viti, çka do të ulë ndjeshëm shpenzimet e transportit që paguheshin nga spitali për këta pacientë.

“Në atë lloj sistemi paguheshin nga shteti 90 euro dhe merrej një shërbim mizerabël. Në këtë skemë, shteti paguan vetëm 80 euro dhe merr shërbim që është standarde europiane, të certifikuar si kudo”, tha kryeministri.

Pas Vlorës do të hapen dhe 4 qendra të tjera që ofrojnë shërbim dialize në vend.

Top Channel