Si do të ishte të jetohej për 180 ditë brenda një strukture hermetike? Shkencëtarët kinezë kanë marrë përsipër të kërkojnë përgjigjen e kësaj pyetjeje nëpërmjet testimit të teknologjive për eksplorimin e mundësive të së ardhmes.

Katër persona do të përpiqen të realizojnë sfidën e qëndrimit për gjysmë viti brenda një moduli të mbyllur me disa elementë thelbësorë të mbijetesës, ku përfshihet oksigjeni, uji e ushqimet, çka krijon një ambient të ngjashëm me atë të anijeve hapësinore. Shpresat janë që ky eksperiment të sigurojë të dhëna për kërkime në planete të tjera si marsi.
 
Li Yinghui, drejtuese e eksperimentit, tha: “Për të krijuar vendbanime të reja në planete të tjera, problemi i parë që duhet zgjidhur është se si do të arrihet të mbijetohet atje, e këtu llogarisim mjedisin e jetesës, ajrin që do të thithet, ushqimin dhe sigurinë e shëndetit”.

Struktura hermetike me një sipërfaqe prej 370 metrash katrorë është e ndarë në 8 zona, në 4 prej të cilave lloje të ndryshme bimësh do të sigurojnë oksigjenin, ndërsa do të ketë dhe ujë të pijshëm e ushqim. Një sistem ekologjik përpunimi do t’i shndërrojë mbetjet ushqimore në fertilizues organik të bimëve.

Projektit i janë bashkuar gjithsej 16 shkencëtarë dhe ekspertë kinezë e të huaj të teknologjisë.

Top Channel