Vlahutin: Sa i vështirë dialogu… Vendin tuaj duhet ta reformoni ju

16/06/2016 00:00

E mësuar me korrektesë në orare gjatë vizitave të shumta me zyrtarët shqiptarë, këtë herë shefes së delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin i është dashur të provojë shijen e pritjes.

Rreth 15 minuta është dashur të pritet derisa të mbërrinte zv.ministrja e Integrimit, Eralda Çani, në një takim me studentë në kuadër të avantazheve që ka Shqipëria nga integrimi në BE.

Veç vonesës, zv.ministrja Çani ishte shumë e qartë në fjalën e saj. “Unë në fakt nuk di çfarë mund të them. Sigurisht janë elementë nga më të ndryshimit që mund të diskutojmë sot”, tha Çani.

Por ambasadorja Vlahutin, ashtu siç ka ndodhur shpesh herë kohët e fundit, ishte e drejtëpërdrejtë në mesazhin e saj drejtuar klasës politike në vend.

“Çështja e Europës, çëshjta e Shqipërisë në Europë, çështja e Shqipërisë europiane kërkojnë mbi të gjitha një dialog të përhershëm. Por nuk e kuptoj se si, por dialogu qenka gjëja më e vështirë që mund të arrihet. Ju e dini që në kemi diskutuar për më shumë se 1 vit e gjysmë këtë reformë të thellë në drejtësi dhe një nga ato dialogjet që dëshironim ne të bënim ishte me deputetët. Për disa arsye të çuditshme, kjo dëshirë solli reagime. Në një nga ato takime, një deputet tha: ‘Keni bërë një gabim madhor përsa i përket reformës në drejtësi, është shumë e vogël, është shumë pak. Shqipëria ka nevojë për nje kontratë të re sociale dhe ju duhet ta kishit filluar këtë’. Unë i thash: ‘më falni, por këtë gjë duhet ta nisni ju. Unë jam një ambasadore’”, tha Vlahutin.

Top Channel