Basha: Presioni mafioz i Ramës gjunjëzoi drejtësinë

16/06/2016 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat ka denoncuar atë që e ka quajtur “presioni mafioz” i kryeministrit Rama ndaj drejtësisë, që çoi në lirimin e Elvis Rroshit dhe kthimit në detyrë të Haki Çakos.

“Sot është një ditë kritike për vendin, sepse çdo mundësi për të patur një hetim të pavarur ndaj një krimi ka rënë. Ka rënë sepse është shteti i përfshirë, me kufje kriminale në vesh duke përgjuar opozitën, biznesmenët, bankierët dhe ambasadorët. Krimi pranohet nga vetë Çako dhe Tahiri, ndërsa drejtësia nuk pranohet. Pse? Sepse Edi Rama është i përfshirë”, ka deklaruar Basha.

Ai ka theksuar se, Rroshi, “i kërkuar edhe nga DEA amerikane për trafik droge dhe pastrim parash”, u lirua sepse është njeriu i Edi Ramës.

“Ai duhej lënë të kthehej në shtëpi, ndryshe çdo gjyqtar do të ishte përballur me hakmarrjen e Edi Ramës. Kjo është drejtësia që do Rama, një drejtësi që nuk heton, por mbron krimin që bën Edi Rama. Imagjinoni sikur t’i bëjë zap gjykatat me draftin që ka në dorë… Drejtësia që do të kishim do të ishte një gjykatë me juristë të bindur, ku pesha do të binte në anën që ka kandarin e Edi Ramës”, ka thënë Basha.

Top Channel