Evra: Nëse përfundonte barazim, Shqipëria s’do të kishte vjedhur asgjë

16/06/2016 00:00

Lojtari më me eksperiencë te kombëtarja franceze, Patrice Evra, foli për Supersport menjëherë pas takimit mes Frncës dhe Shqipërisë duke shprehur vetëm elozhe për Shqipërinë dhe tifozët kuqezi.

“Kemi luajtur kundër Shqipërisë në miqësore, ku humbëm dhe barazuam në shtëpi. Kur luan kundër Shqipërisë është e vështirë, sepse këta lojtarë japin maksimumin për fanellën. Nuk e di kush mendonte që mund të fitonim lehtë, por ne lojtarët dhe trajneri i respektojmë kombe të tilla, sepse japin maksimumin dhe janë vërtetë të rrezikshme. Fola edhe me trajnerin dhe i thashë që meritonin barazimin kundër Zvicrës, sepse kishin mundësi të shënonin në fund. Mund ti them vetëm BRAVO Shqipërisë, sepse luan me zemër dhe kanë tifozë të shkëlqyer, që erdhën të shumtë në Francë. Personalisht e dija që ishte ndeshje e vështirë. Urime Shqipërisë, sepse realisht zhvilloi një ndeshje të bukur.”

Mbrojtësi francez tha më tej se edhe në rast se ndeshja do të ishte mbyllur në barazim, Shqipëria nuk do të kishte vjedhur asgjë.

“Është e vështirë, sepse edhe ne edhe ata kishim raste. Por, nëse Shqipëria do të kishte marrë një pikë nuk do të kishte vjedhur asgjë. Dhanë gjithçka në fushë dhe ndoshta mund ta kishin merituar një barazim”, tha Evra.

Top Channel