LSI, dyshime për ambasadorët: Vijat e kuqe të Brukselit mbi ato të Venecias

16/06/2016 00:00

Ndërsa politika shqiptare është përfshirë në ngërçin për reformën në drejtësi, sipas LSI-së edhe vetë faktori ndërkombëtar është në mungesë koherence, duke rrezikuar reformën.

Në një komunikim me mediat, nënkryetari Petrit Vasili tha se vijat e kuqe të Brukselit po mbivendosen me vijat e kuqe të Komisionit të Venecias, duke sugjeruar që opozita t’i drejtohet vetë BE-së në Bruksel për heshtjet që janë kthyer në ngërçin e reformës.

“Komisioni i Venecias, sikurse e kemi pranuar të gjithë, spektri politik vendas dhe faktori ndërkombëtar, është i vetmi institucion që mund të përcaktojë standardet ndërkombëtarisht të pranuara të reformës, apo ndryshe siç thuhet “të përcaktojë vijat e kuqe të reformës”. Por, meqenëse siç është thënë dhe vijon të thuhet nga BE në Tiranë, se Brukseli ka vendosur vija të kuqe mbi vijat e kuqe të Venecias, vlerësoj se i duhet dhënë fund përsëritjes së vazhdueshme të konferencave të shtypit dhe opozita t’i kërkojë BE-së në nivelet më të larta në Bruksel të shprehet për mendimet e opozitës dhe të gjejë një zgjidhje të pranueshme me opozitën për këtë çështje të vetme që e pengon konsensusin”, deklaroi Vasili.

Vasili ka paralajmëruar se, nëse opozita edhe pas zgjidhjes së këtij pretendimi do vazhdonte të ishte refraktare, “LSI është edhe në favor të mbajtjes së një referendumi për ndryshimet e Kushtetutës”.

Top Channel