Gjykata ndryshon masën, Elvis Rroshi në arrest shtëpie

16/06/2016 00:00

Gjyqtari Dritan Caka firmosi këtë të enjte lirimin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i akzuar për falsifikim dokumentesh, në një proces ku duhej të verifikohej vetëm nëse policia kishte ndaluar personin e duhur apo jo.

Në seancën me dyer të mbyllura dhe pa praninë e të akuzuarit Rroshi, gjykata ndryshoi vendimin e “arrestit me burg” që kishte dhënë tre ditë më parë, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Në argumentet e reja që u sollën në gjykatë dhe që ndikuan këtë të fundit për të ndryshuar masën e sigurisë ishte fakti që Rroshi ka dy fëmije të mitur, ka të atin me hemodializë dhe se është i vetmi në familjen e tij që punon.

Ndërsa pretendimet e tjera që kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me akuzën e falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizmit janë tejkaluar tashmë nga gjykata, e cila ishte shprehur më parë për masën e sigurisë.

Pas vendimit të gjykatës, avokati mbrojtës i Rroshit, Theodhori Sollaku u shpreh sërish i pakënaqur, duke deklaruar se edhe masa arrest shtëpie do të apelohet. Sakaq, pritet që kjo masë të apelohet edhe nga prokuroria, e cila i kërkoi gjykatës që të mbetej në fuqi masa “arrest me burg”. 

Top Channel