Ish-ambasadori: PD të votojë reformën. Reagon Vasili: Ryerson të mos përzihet

16/06/2016 00:00

Ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, William Ryerson, një nga diplomatët që mbështeti fort Partinë Demokratike të sapokrijuar në fillim të viteve ‘90, tani e kritikon atë.

Përmes një letre, Ryerson fton deputetët e Partisë Demokratike që ta votojnë reformën në drejtësi nëse ajo vjen në Parlament dhe votimin ta bëjnë pëvarësisht se çfarë u dikton kryesia e tyre.

Mesazhi i ambasadorit, mik i ngushtë me Partinë Demokratike është botuar në gazetën shqiptaro-amerikane, “Illyria”, me seli në Nju Jork.

“Është shumë zhgënjyese të lexosh që partia e opozitës në Parlamentin Shqiptar po tregohet kaq pak elastike. Shpresoj të paktën se disa nga anëtarët e PD-së në këtë institutcion do të gjejnë guximin për të votuar në favor të kësaj reforme, të vojnë në favor të përparimit të vendit dhe të mos mbeten thjesht kukulla të udhëheqjes së tyre. Nëse do ta bëjnë këtë do u dhuroja përgëzimet e mia më të përzemërta!”, thotë Ryerson në letrën e tij.

Mesazhi i ambasadorit shkon në një linjë me mesazhet që më herët janë dhënë në Tiranë nga përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, si Federica Mogherini, si dhe përfaqësuesit e Gjermanisë dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë angazhuar totalisht në votimin e draft reformës në drejtësi, miratuar tashmë nga komisioni i posaçëm parlamentar.

Vasili: Ryerson t’i kursejë këshillat. Ai ngriti reformën e plepave

Por nënkryetari i LSI, Petrit Vasili e ka sulmuar ashpër ndërhyrjen e ish-ambasadorit amerikan, duke deklaruar se, Shqipëria sot vuan pasojat e republikës totalitare që Ryerson ngriti bashkë me Sali Berishën.

“Ne vetëm nga Ryerson nuk presim këshilla për reformën në drejtësi. Ishte pikërisht ai dhe Berisha që bënë reformën “historike” në drejtësi, e njohur si reforma e plepave, pasojat shumë të rënda të të cilës kanë sjellë në këtë nivel kaq kritik të drejtësisë. Për këtë arsye, ai duhet të ishte i pari që nuk duhet të lodhej së kërkuari ndjesë për këtë dëm që u solli shqiptarëve vite më parë në emër të antikomunizmit. Ai stimuloi, mbështeti dhe nxiti ngritjen e një republike totalitare, pasojat e të cilës kulmuan në vitin 1997 dhe sigurisht nuk mundet kurrën e kurrrës që në emër të antikorrupsionit të rikrijojmë një republikë të re totalitare”, ka thënë Vasili.

Top Channel