Apeli rrëzon pezullimin e Çakos: Drejtori i policisë të kthehet në detyrë

16/06/2016 00:00

Gjykata e Apelit ndryshoi masën e pezullimit nga detyra ndaj drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit të shpallur 10 ditë më parë nga Gjykata e shkallës së parë të Tiranës.

Ky verdikt i tre gjyqtarëve Marie Qiriazi, Fiqirete Mullaj dhe Ervin Metalla do të thotë rikthim në detyrë i Çakos, i vendosur nën lupën e prokurorisë bashkë me dy zyrtarë të tjerë për dosjen e pajisjes “Imsi Cathcer”.

Nga ana e saj, prokuroria nuk ka vendosur ende nëse do t’i drejtohet apo jo me rekurs Gjykatës së Lartë.

“Nuk ekzistojnë dyshimet e arsyeshme dhe nuk mundet që drejtori i përgjithshëm, kur pajisja ka qenë në duart e Interforcës, të ndërhynte në të. Ndërkohë që autoritetet italiane i bënë të ditur gjykatës, një provë që e paraqitëm edhe ne, se ajo pajisje ka qenë në duart e policisë italiane”, deklaroi avokati i Çakos, Maks Haxhia.

Aktualisht për pajisjen “Imsi Catcher” mbahen në arrest shtëpiak kreu i Forcave Operacionale, Artion Duka dhe oficeri Entiol Xhelilaj.

Pas kërkesës së prokurorisë, e cila dyshon se ka shpërdorim detyre, gjyqtari i Shkallës së Parë, Arjan Aliaj dha masat ndaj zyrtarëve, duke shkaktuar më pas një sërë akuzash ndaj tij.

Top Channel