Arti abstrakt nuk është më në vijë të parë. Nuk tregon dhe aq më pak të paraprijë atë që shoqëria reflekton. Edhe pse dikur ai u zhvillua si një oponencë ndaj artit të realizmit socialist, sot ngelet në kuadër elementar.

Pavarësisht se ka artistë që e preferojnë këtë lloj arti, sidomos kjo e dukshme tek shqiptarët e Kosovës. Piktori Gani Bytyçi rrëfen krimet dhe genocitin e popullit të tij nëpërmjet abstraksionit në pikturë.

“Këtu është dhembja e popullit tim dhe atë dhembje jam përpjekur që ta kthej në art. Për këtë arsye e derdh me tepri të kuqen e gjakut”, shprehet Bytyçi.

Suzana Varvarica, studiuese arti, shpjegon: “Arti abstrakt, shpesh artistë të ndryshëm e nxjerrin për të treguar se sa të aftë janë në parimet më elementare të artit pamor, por mendoj se nuk është thelbësore sot në artet pamore”.

Një artist nuk mund të përfaqësojë sot vetëm individualitetin dhe ngjyrën në krijimtarinë e tij. Më shumë se kjo duhet një qasje tjetër.

“Arti është në bazë të mbështetjes së asaj që ndodh në shoqëri, madje e perkurson atë, ecën një hap më përpara. Ndërsa me artin abstrakt nuk mund ta themi dot këtë”, shton Varvarica.

Preokupimi për fatin e njeriut në kuptimin universal si dhe fatin e njeriut dhe vendit të tij, duhet të jenë më të prekshme dhe të receptueshme për publikun. Përveç shpirtit të lirë që një artist përfaqëson, abstraksionin e tij duhet ta nxjerrë me kujdes dhe rrallë nga komedina e zhanreve artistike.

Top Channel