Mungojnë 3 kartonë të verdhë, ja moviola e Francë-Shqipëri

16/06/2016 00:00

William Collum nuk rezultoi një ogur i mirë për kombëtaren kuqezi, siç ishte treguar gjatë kualifikueseve, ose ogur zi për “gjelat” të cilët me të nuk fitonin asnjëherë.

Sidoqoftë, gjyqtari skocez ishte shumë korrekt në ndarjen e drejtësisë. Ai ishte gjithmonë pranë aksioneve, duke marrë vendimet e duhura, ndërsa përjashtim bëjnë katër raste.

Nën gjykimin e Bujar Pregjës, Collum duhej të kishte treguar tre kartonë të verdhë për lojtarët e Francës, ndërsa në katër rastet e paraqitura, mungojnë edhe dy faulle për Shqipërinë.

Rasti 1Bërryli ndaj Sadikut

Ndaj Armando Sadikut ka një bërryl, por arbitri hesht. Në regjistrim duket qartë që ka një shtytje nga mbrapa dhe duhej një faull sepse Sadiku po godet topin me kokë dhe shtytja nga mbrapa është shumë evidente. Në këtë rast, duhej edhe ndihma e anësorit sepse ishte më afër këtij dueli se sa kryesori.

Rasti 2Karton i verdhë për Matuidi

Ndaj Armando Sadikut shkaktohet faull, jepet, por lojtari francez, Matuidi duhej të ndëshkohej me të verdhë, pasi taka e lojtarit është zgjatur dhe ka shkelur direkt në kaviljen e Sadikut. Edhe në këtë rast anësori mund të ndihmonte kryesorin, pasi ishte më afër këtij dueli.

Rasti 3Karton i verdhë për Evranë

Ndaj Andi Lilës ka një ngritje takash, ka një faull të dhënë në favor të tij, por loja ka qenë e rrezikshme dhe përveç faullit mund të jepej edhe kartoni i verdhë. Duket qartë se këmba e ngritur nga mbrapa është në lartësinë e kokës dhe është një lojë e rrezikshme.

Rasti 4 – Faull ndaj Memushajt dhe karton i verdhë për Kante

Ledian Memushaj pasi merr një top në mesfushë shmang dy futbollistë dhe ndaj tij ka patur një pengim. Lojtari francez, Kante, ka nxjerrë këmbën dhe ka penguar mesfushorin, por për çudi arbitri nuk ka dhënë faull duke menduar se Memushaj është hedhur. Përveç kësaj mund të jepej edhe kartoni i verdhë për lojtarin francez sepse niset një aksion premtues për ekipin tonë. Më vonë, i njëjti lojtar për shkak të një faulli taktik, u ndëshkua me të verdhë.

FOTO GALERI
1/4
Rasti 1 - Bërryli ndaj Sadikut

Top Channel