Hysaj: Humbje zhgënjyese

15/06/2016 00:00

Tejet i zhgënjyer. Elseid Hysaj nuk fshihet dhe beson se fati ishte kundër Shqipërisë në humbjen përballë Francës.

“Zhgënjim shumë i madh, sepse luajtëm bukur dhe fati nuk na ndihmoi në minutat e fundit. Por futbolli kështu e ka”, u shpreh ai.

Mbrojtësi kuqezi u shpreh krenar për paraqitjen e skuadrës dhe për mbështetjen e tifozëve, megjithatë thekson se Shqipëria është paraqitur në Kampionatin Europian për të bërë edhe diçka më tepër.

“Jemi këtu dhe Shqipëria duhet të jetë krenare. I falënderojmë tifozët për mbështetjen pas kësaj humbje, por ne kemi ardhur në këtë Europian për të bërë diçka më shumë”, vijoi shkodrani.

Tashmë e gjithë vëmendja do të jetë në ndeshjen e fundit të Grupit A, kundër Rumanisë. Dueli në Lyon është shpresa e fundit e Shqipërisë, për të regjistruar rezultatin e parë pozitiv në histori, në një eveniment madhor dhe pse jo për t’u kualifikuar.

“Shpresa për kualifikimin kemi, duhet të mendojmë që të hymë në fushë, të vetëdijshëm se me Rumaninë është shpresa e fundit”, tha ndër të tjera Hysaj.

Top Channel