Florida, gjendet i vdekur fëmija i rrëmbyer nga aligatorët

15/06/2016 00:00

Zhytësit e përfshirë në kërkimet intensive, për fëmijën e rrëmbyer nga një aligator në Orlando të Floridës, kanë gjetur trupin e padëmtuar të një të mituri, që besohet të jetë ai i dyvjeçarit të marrë nga zvarraniku në bregun e një lagune, përpara syve të familjes së tij.

Sherifi i kontesë Orange, Jerry Demings tha se, djali i zhdukur është Lane Graves nga Nebraska.Plot 5 aligatorë u vranë pas ngjarjes së rëndë në përpjekje për të gjetur trupin, ose të paktën pjesë të tij. Identifikimi zyrtar i të miturit nuk është bërë ende, por në këtë pikë, autoritetet nuk kanë dyshime.

“Dua t’iu them se fëmija u gjet. Trupi i tij ishte krejtësisht i paprekur. Tani do të kalojmë në procesin e identifikimit zyrtar, por nuk ka arsye për të besuar se trupi që kemi rikuperuar nuk është ai i Lane Graves”, tha Jerry Demings, sherif i kontesë Orange.

Në lagunën e krijuar artificialisht ka një tabelë që tregon se nuk lejohet noti, por  nga ana tjetër edhe pse fëmija kishte hyrë në ujë, ai duket se nuk po notonte. I ati u përpoq t’ia shkulte vogëlushin aligatorit nga nofullat, por pa sukses. Në lagunë nuk ka asnjë tregues mbi praninë e këtyre reptilëve, situatë kjo, të cilën kompania e “Disney”-t me një park të sajin aty pranë, thotë se do ta rishikojë.

Top Channel