Sprova e “Arrëthyesit”

15/06/2016 00:00

“Droselmajeri”, magjistari mistik i Tchajkovskit, mund të mos jetë roli kryesor në baletin “Arrëthyesi”, por është një rol protagonist, prezent në skenë gjatë gjithë pjesës. Baleti, riktheu për publikun e kryeqytetit edhe një herë atmosferën e bukur të Krishtlindjeve në skenën e TKOB, e bashkë me të ringjiti në skene Julian Dervishin në rolin e Droselmajerit.

Në të njëjtën skenë, i njëjti rol është interpretuar nga balerini Ilir Kerni 10 vite më parë, ndaj në sfidën për të qenë në të njëjtin nivel, Jualianit i është dashur shumë mund, pasi të sjellësh një rol të tillë, për një 27 vjeçar duket të jetë përgjegjësi e madhe.

“Nuk është konceptuar vetëm si rol, por edhe që të jetë i pranishëm në çdo skenë. Jam munduar që t’ afrohem sa më shumë personazhit të sjellë nga Profesori. Përveçse në sallë ka punuar edhe suke parë video të profesorit, se si ai interpretonte në skenë”, u shpreh balerini Julian Dervishi.

Dervishi ia ka dalë të kënaqë pritshmëritë e drejtuesit të institucionit, njëherësh edhe koreograf i pjesës, pasi ka mundur të sjellë një figurë të re artistike, një karakter të ri skenik, të përmirësuar.

“Ka bërë një rol krejtësisht ndryshe nga ajo që unë mendoja, për këtë unë jam i kënaqur. Ka dhënë gjithçka nga vetja si nga pikëpamja teknike, ashtu edhe nga  pikëpamja artistike e krijimit të një figure që ndoshta për të ishte një risi. Sepse ai nuk bërë asnjë herë role të tipit të tillë. Me eksperiencën që ka krijuar me këto balete moderne është rritur artistikisht”, ka thënë koreografi Ilir Kërni.

Baleti “Arrethyesi” do te rikthehet për publikun në muajin shtator në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit

Top Channel