Të ndjekësh kombëtaren, 1.750 euro 3 ndeshjet

15/06/2016 00:00

Pasioni kushton, edhe kur bëhet fjalë për kombëtaren. Këto ditë shqiptarët kanë vërshuar masivisht në Francë. Por sa është fatura qe kanë paguar për të ndjekur nga afër ekipin e zemrës?

“Ka patur paketa duke filluar që nga 450 euro (për ndeshje) dhe deri në 1.750 euro për të treja ndeshjet”, tregon Enver Mehmeti, përfaqësues i një agjencie udhëtimesh.

Por çmimet nuk thonë gjithçka pa të ardhurat. Ladbrooks, një kompani bastesh angleze i ka llogaritur kostot e tifozëve të 24 vendeve në raport me rrogën mesatare në Angli.

Pra, nëse një anglez shpenzon 178 paundë për një natë në hotel, ekuivalenti i këtij shpenzimi për një shqiptar në raport me rrogën që fiton është 1.199 paundë.

Sipas kësaj renditjeje, shqiptarët do të paguajnë mesatarisht 4.898 paund për të ndjekur një ndeshje të kombëtares dhe kjo i bën ata ndër tifozët që sakrifikojnë më shumë për të ndjekur ekipin e tyre. Por as kjo nuk i ka dekurajuar ata të shkojnë masivisht në Francë.

“Numri nuk është indiferent kundrejt pritshmërisë, por mendoj që nga mënyra e planifikimit. Sepse pjesa më kritike e planifikimit është ‘last minute’”, sqaron më tej Mehmeti.

Shqipëria përfiton deri në 0.5 për qind të GDP më shumë

Mund të ketë kosto personale për tifozët që udhëtojnë në Francë, por pjesëmarrja e kombëtares në Europian ka përfitime të jashtëzakonshme për ekonominë.

“Shqipëria gjendet në të gjitha mediat online, ndodhet në transmetime live në gjithë botën, në materiale të printuara. Do të thotë se ka një vëmendje të jashtëzakonshme dhe jep një mundësi marketingu që, në syrin e ekspertit, nuk ka kosto”, vijon Mehmeti.

“Përfitimin më të madh e kemi në përmirësimin e imazhit të vendit, pasi ka shumë kërkesa për ta njohur Shqipërinë. Efekti i dytë është tek paratë që merr Federata jonë e Futbollit dhe tek investimet më shumë që ajo merr. Një impakt tjetër shumë pozitiv është përmirësimi i klimës, sidomos të bashkëveprimit mes bizneseve shqiptare në Ballkan”, thotë ekonomisti Fatos Çoçoli.

Për Çoçolin, aktualisht kombëtarja është një nga asetet më të mëdha ekonomike të Shqipërisë, e krahasueshme me stimujt që jep buxheti i shtetit.

“Nga një llogaritje të parë që kam bërë ajo jep gjysmë për qind të GDP-së bruto. Nëse marrim për shembull diku tek 99 milionë euro 1 për qind, gjysmë për qind të saj ne do ta marrim brenda këtij viti me këto investime”, thotë Çoçoli.

Futbolli ka dhe ekonomi. Dhe veç emocioneve të papërshkrueshme që i kanë dhuruar shqiptarëve me kualifikimin në Europian, djemtë e kombëtares i kanë dhënë një ndihmë të madhe edhe ekonomisë.

Top Channel