Mehmedi shpëton zviceranët, Rumania merr pikën e parë

15/06/2016 00:00

Ka përfunduar me shifra të barabarta 1-1 ndeshja e radhës në Grupin A, ku bën pjesë edhe Shqipëria, mes Rumanisë dhe Zvicrës.

Rumunët e kanë mbyllur në avantazh pjesën e parë pas një penalltie të shndërruar në gol nga Bogdan Stancu në minutën e 18’.

Ka qenë një ndërhyrje e gabuar e Stephan Lichtsteiner i cili ka mbajtur për bluze brenda zone mesfushorin rumun Alexandru Chipciu. Për rusin Sergei Karasev është padyshim faull duke ndalur lojën dhe atribuuar edhe penallti në favor të rumunëve.

Por pjesa e dytë ka folur vetëm për zviceranët, të cilët në minutën e 57’ janë shpërblyer me gol. Ka qenë shqiptari Admir Mehmedi ai i cili ka përfituar nga një asist i Johan Djourou duke barazuar shifrat.

Ashtu edhe si në ndeshjen përballë Shqipërisë, Petkovic ka aktivizuar nga minuta e parë 5 shqiptarët e Zvicrës, por Shaqiri dhe Xhemajli janë zëvendësuar në minutat e fundit.

Ndeshja e dytë e grupit A mes Shqipërisë dhe Francës do të luhet sonte në 21:00 në Marsejë.

Top Channel