Bashkia e Tiranës, APR bën bilancin: Afruam qytetarët me natyrën

15/06/2016 00:00

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë së Tiranës ka bërë këtë të mërkurë analizën e punës së saj 7-mujore.

Drejtori i kësaj agjencie, Blendi Gonxhe deklaroi në fjalën e tij se, që nga nëntori i vitit 2015, kur dhe u krijua, APR ka arritur të krijojë një profil pozitiv por edhe aktiv, duke u ofruar qytetarëve të Tiranës mundësi për të shijuar natyrën, aktivitete sportive por edhe ecjen pa makina në rrugët e kryeqytetit.

“APR, në 7 muaj nga themelimi si një nga drejtoritë e Bashkisë së Tiranës, mbështetur në eksperiencat më të mira të kryeqyteteve që duam t’u ngjajmë, ka shënuar një kthesë historike në marrëdhënien e qytetit të Tiranës me parqet, Kurorën e Gjelbër, pyjet, jetesën e gjelbër, bimësinë dekorative dhe aktivitetet në natyrë”, tha Gonxhe.

Në këtë mbledhje u njoftua gjithashtu se, struktura e re e APR sot operon me një atelier dizajni, peisazhi dhe inovacioni, si dhe me inspektioratin “Tirana Park Rangers”, për një monitorim dhe kontroll më të specializuar në njësitë rekreative.

“Në vetëm 7 muaj janë zhvilluar rreth 40 aktivitetet rekreative, me një pjesëmarrje prej 190 mijë frekuentuesish në total, në atë që synohet të jetë një impakt social dhe ekonomik për komunitetin e territorin”, vijoi Gonxhe.

Top Channel