Tirana, me landfill të ri. Veliaj: Qyteti, më i pastër e më i gjelbër

15/06/2016 00:00

Një vit pasi ka marrë drejtimin e kryeqytetit, Erion Veliaj mendon se Tirana është më e pastër dhe më e gjelbërt. Ai tha se pastrimi do të vijojë dhe se, në shtator do të ndryshohen të gjithë koshat e mbeturinave.

“Kur të gjithë të kthehen nga pushimet në shtator, Tirana do të ketë një flotë të re, kosha të rinj dhe një kompani të re publike, bashkë me Bashkinë e Veronës që do të merret me pastrimin e qytetit. Në qytetin e Tiranës do të jetë e ndaluar hyrja apo futja në çdo kosh dhe nxjerrja e të gjitha mbeturinave jashtë për të kapur një kanaçe ose një shishe plastike. Atyre që punojnë sot duke zbrazur koshat, Bashkia e Tiranës është gati qysh sot t’iu ofrojë një vend pune me pagesë, me sigurime shoqërore, në impiantin e riciklimit që ne kemi në Sharrë”, tha Erion Veliaj.

Kryeqyteti do të ketë edhe një tjetër “landfill” (vendgrumbullim mbeturinash), përveç atij të Sharrës.

“Kemi marrë një vendim bashkë me qeverinë qendrore, që Tirana të fillojë me projektimin e një landfilli të ri, modern, ku një pjesë e mbetjeve të riciklohen, pjesa tjetër të mund të shndërrohet ose në energji, ose në përdorime të tjera si biogazi, për të gjitha zonat rreth Vaqarrit dhe Ndroqit”, deklaroi më tej Veliaj.

Duke folur për disiplinimin e ndotësve, Veliaj kujtoi dhe gjobën me të cilën ndëshkoi Partinë Demokratike për shkatërrimin gjatë protestës së organizuar prej saj, duke e lidhur atë me gjobën e vendosur një ditë më parë në Marsejë nga UEFA, ndaj tifozëve rusë.

Për gjelbërimin e kryeqytetit, kryetari Veliaj theksoi se deri në fund të mandatit do të mbillen rreth 50 mijë pemë.

Top Channel