Përballë Francës, 4 humbje prej 1990-s. Në miqësore kemi fituar e barazuar

15/06/2016 00:00

Shqipëria do të përballet në orën 21:00 me Francën e Deschamps, me të cilën u ndesh dy herë gjatë kualifikueseve të fundit, por në cilësinë e ndeshjeve miqësore.

Të besuarit e De Biasit fituan 1-0 në “Elbasan Arena” dhe barazuan 1-1 në “Stade de la Route-de-Lorient” në Rennes, sfida të cilat nuk u vlerësuan me pikë për shkak se Franca ishte e kualifikuar si vend organizator.

Suksesi në Elbasan falë golit të Kaçes ishte edhe triumfi i vetëm i Shqipërisë ndaj Francës, e cila në përballjet e drejtpërdrejta dhe të vërteta është superiore, teksa në 4 ndeshje ka arritur 4 fitore.

Fati ka dashur që me “gjelat” francezë të përballemi vetëm në kualifikueset e një Europiani. I pari ishte ai i nëntorit të vitit 1990, kur ne humbën 0-1 në Tiranë dhe pak muaj më vonë, në ndeshjen e kthimit u shkatërruam 5-0.

Shorti na vuri sërish në të njëjtin grup në kualifikueset e “Euro 2012”. Nën drejtimin e Josip Kuzhes, kuqezinjtë u mundën 1-2 në “Qemal Stafa” dhe 3-0 në “Stade de France”.

Mbrëmjen e sotme në “Stade Velodrome”, çdo rezultat tjetër përveç humbjes do të rriste optimizmin e kuqezinjve tanë para ndeshjes së fundit në grup me Rumaninë, e cila do të jetë edhe vendimtarja për të ardhmen tonë në këtë Europian të parë.

De Biasi pritet të bëjë disa lëvizje në skuadër, ndërkohë që mediet franceze shkruajnë se edhe Deschamps do të bëjë ndryshime në formacionin bazë. Sipas tyre, përgjegjësinë e skuadrës do ta mbajnë dy talentet 20-vjeçare Coman-Martial.

Top Channel