Muzeu i Van Goghut çeli dyert e një ekspozite shumëplanëshe në premierën e tij botërore në Pekin, ku ofroi mundësinë për një njohje më të thellë të artistit legjendar përmes letrave, fotove e sigurisht dhe pikturave të tij.

Ajo çfarë synojnë të arrijnë organizatorët është një eksperiencë që gërsheton krijimet e gjalla të Van Goghut me emocionet e përjetuara prej tij falë një serie citatesh të nxjerra nga mbi 800 letra personale të piktorit të madh.

“Vincenti në Kinë është një mit, është si të thuash një yll roku dhe në këtë ekspozitë mund të shihet më qartë mënyra sesi ai ka jetuar, si ka krijuar. Këtu mund të gjesh mullarët e barit të vendit ku jetoi në Jug të Francës, mund të vizitosh restorantin ku kalonte orë të tëra në Paris. Mund të lexosh pjesë të letrave të tij, mund ta dëgjosh historinë të rrëfyer nga ai vet, mund ta dëgjosh nga fjalët e kunatës, që e vlerësonte shumë. Është një eksperiencë vërtet mbresëlënëse”, tha Willem Van Gogh, stërnipi i piktorit.

Pikturat e Van Goghut, të pakuptuara në kohën e tij ashtu siç e meritonin, iu largohen stileve tradicionale, me forma të shkrira në ngjyra të forta goditëse e penelata të trasha. Përgjatë të gjithë jetës së tij, mjeshtri i madh holandez vuajti depresionin, shpërthimet e nervave e momente tërbimi, të gjitha këto të hedhura më pas në kanavacen e pikturave aq të ngarkuara emocionalisht.

Ekspozita do të jetë e vizitueshme në të gjithë Kinën përgjatë 5 viteve të ardhshme.

Top Channel