Berisha: Me vetingun Rama kap drejtësinë

15/06/2016 00:00

Partia Demokratike nuk do të japë votat e saj për draftin në reformën në drejtësi nëse nuk pranohet plotësisht kërkesa e saj për vendet e rezervuara për të katër institucionet e reja që dalin nga kjo reformë.

Ai që e ritheksoi këtë qëndrim të opozitës ishte ish-kryeministri dhe ish-kreu i demokratëve, Sali Berisha. Në një bashkëbisedim të gjatë me gazetarët, ai dha edhe arsyet.

“Edi Rama, duke pranuar dy dhe jo katër, zbuloi veten dhe thotë se vetingun do ta bëjë unë. Sipas tij, këto dy institucioni të vetingut nuk duhet të jenë partiake, por duhet të jenë monopartiake. Ata që thonë që nuk duhet të fusin partitë duart, u them që të kenë kujdes, sepse kjo do të thotë të fusë duart vetëm një parti”, tha Berisha.

Ajo që përforcon bindjen e Berishës për synimin e Edi Ramës për të kapur drejtësinë është edhe ngurrimi i maxhorancës për të dërguar në Venecia draftin.

Berisha foli edhe për vizitën e kryediplomatit gjerman Steinmeier, i cili ndodhej në Tiranë për disa orë një ditë më parë.

“Është një mendje gjermane me zemër mesdhetare, por duhet të jesh si Edi Rama që të mos i thoje atij ja edhe ne do të firmosim reformën. Ai reformën kishte çështje kryesore dhe për këtë u shpreh shumë qartë. Basha ja tha që ne e firmosëm reformën”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri akuzoi pasaardhësin e tij në këtë post se po depoziton gënjeshtra kundër opozitës në kanceleritë europiane.

“Por Europa është transparente dhe gënjeshtrat të dalin dhe të kthehen mbrapsht në bumerang”, tha ai.

Qëndrimi për reformën në drejtësi duket sikur e ka vendosur Partinë Demokratike jo vetëm përballë Partisë Socialiste, por edhe përballë përfaqësive diplomatike më me zë në Tiranë, mes të cilave edhe ambasada amerikane. Por për Berishën, opozita ka një qëndrim parimor dhe sipas Venecias.

“Sa i përket njohurive juridike, Venecia është mbi të gjitha, mbi ambasadorët dhe mbi qeveritë“, u shpreh ai.

Berisha ftoi Ramën që të ulet në tryezën e bisedimeve me opozitën me një zgjidhje tjetër, sipas tij, më transparente dhe që nuk kap drejtësinë.

“Mos mendo se opozita do të japë votat që të futësh në grusht drejtësinë shqiptare. Kjo s’mund të ndodhë“, tha ai.

Top Channel