Euro 2016, yjet mbeten “thatë”. Italia bën përjashtim, yjet i ka në mbrojtje

15/06/2016 00:00

Në ndalesën e parë të një udhëtimi të gjatë që kanë përpara, superyjet e Europës duket se janë me një kohë vonesë. Ngjarja madhore sportive, Europiani i Francës, si gjithmonë nis me pritshmëri të larta dhe ndonjëherë edhe të tepruara. Por, teksa i hedh një sy listës së golashënuesve të deritanishëm mbetesh pa fjalë, sepse përveç Gareth Bale, në të nuk gjendet asnjë, por asnjë prej kampionëve të mëdhenj që ofron kontinenti i vjetër.

Një ndeshje të vetme kanë luajtur gjithsecili, e kjo nuk mjafton për t’i “skarcuar” apo “përvëluar” gjigantët e futbollit europian, por statistikat nuk mund të injorohen kurrë. Raundi i parë i ndeshjeve në grupe është mbyllur me një Cristiano Ronaldo “flop”, ylli më i madh i këtij kampionati nuk ka mundur të gjejë rrugën e rrjetës ndaj Islandës “së vogël”, madje shpërdoroi edhe një rast të artë përpara portierit. Ndërsa nervozimi i tij në fund të ndeshjes thotë më shumë se gjithçka: Barazuan duke vendosur autobusin para portës së tyre!

Ylli i Realit të Madridit ka mbi shpatullat e tij një peshë të jashtëzakonshme përgjegjësie, sepse është i vetmi “jashtëtokësor” i një Portugalie të mbushur më shumë se kurrë në vitet e fundit me talentë, por që gjithsesi i mban shpresat te magjitë e tij për të mbajtur gjallë synimet për lavdi. Por presioni mund të bëjë edhe shakara të hidhura.

Një diskutim i ngjashëm mund të bëhet edhe për Lewandowskin e Polonisë, apo Ibrahimoviçin e Suedisë, sikurse edhe për vet Balen e Uellsit. Ajo që surprizon më shumë faktikisht është se, edhe kur skuadra (Polonia) bën maksimumin, ylli i saj (Lewa) duket inekzistent. Zlatan të paktën pati meritën e “detyrimit” për një autogol të Irlandës pas një pjese të parë thuajse anonim në fushë, ndërsa Bale udhëhoqi Uellsin kundër Sllovakisë me goditjen e tij të dënimit, edhe pse nuk luajti ndonjë ndeshje të mrekullueshme.

“Thatë” mbetën edhe lojtarë të mëdhenj që luajnë për kombëtare të mëdha, pavarësisht performacave të ekipeve të tyre. Le ta nisim me Anglinë, që kundër Rusisë u befasua në kohët shtesë pasi dominoi për rreth 90 minuta. Harry Kane, golashënuesi i Premier League, u duk si një “peshk pa ujë”, edhe pse Anglia e Hodgsonit kishte plot 5 lojtarë nga Tottenhami i tij.

Antoine Griezmann mund të përdorë alibinë e ndryshimit të pozicionit dhe taktikave të ndryshme të të luajturit mes klubit dhe kombëtares së tij. Franca sigurisht nuk është Atletico, pasi shfrytëzon shumë më pak kundërsulmet krahasuar me madrilenët, ndaj dhe Griezmann nuk mund të marrë më të mirën e shpejtësisë së tij, një karakteristikë individuale. Për këtë arsye Deschamps ka medituar dhe ka vendosur ta lërë në pankinë, së bashku me Pogbanë, që nuk është një sulmues dhe nuk e ka për “detyrim” të shënojë, por mes yjeve të këtij Europiani mund të thuhet se edhe ai ka dështuar në debutim.

Ka luajtur disi më mirë Alvaro Morata, por edhe ky u zëvendësua pas më shumë se 60 minutash lojë dhe Spanja fitoi pa të në fushë. Duket se skema 4-3-3 e “La Roja”-s nuk i përshtatet mirë sulmuesit të Juventusit. I dështuar duket se ka qenë edhe Thomas Muller te Gjermania e tij, aty ku luan si protagonist që prej vitit 2010, por ndaj Ukrainës as ai dhe as Gotze nuk bënë asgjë.

Ndryshe nga këta që përmendëm, Italia duket e destinuar të mos ketë asnjë “të dështuar”. Kjo, për fatin e mirë që yjet e “axurrëve” janë në mbrojtje, të cilët mundën të ndalnin sulmet e Lukaku, Hazard dhe De Bruyne, lojtarë me vlerë të jashtëzakonshme, por që papritmas gjeti shpëtim nga një sulmues i quajtur Pellè, nga i cili shumë pak mund të kenë pasur pritshmëri.

Top Channel