Studimi: Kërcënimi më i madh për Europën mban emrin ISIS

15/06/2016 00:00

Europianët sot e konsiderojnë Shtetin Islamik si kërcënimin më të madh për vendet e tyre, pohon Qendra Kërkimore “Pew” me seli në Uashington.

Studimi më i fundit i saj tregon se, shqetësimi që ngjallin militantët e dhunshëm të ISIS-it në kontinentin e vjetër kapërcen edhe atë të ndryshimeve klimatike, apo dyndjes së madhe të refugjatëve nga Iraku dhe Siria.

Vetëm 17 për qind e të anketuarve në 10 shtete të Europës, – thotë “Zëri i Amerikës” duke cituar qendrën në fjalë, – mendojnë se Shteti Islamik është një kërcënim i vogël, ndërsa vetëm 3 për qind vlerësojnë se ai nuk përbën fare kërcënim për vendin e tyre.

Sulmet e Parisit dhe të Brukselit e kanë vënë terrorizmin në krye të listës së shqetësimeve të europianëve, ndërsa masat e sigurisë mbeten të larta në të gjithë bllokun. Por, edhe pse frika ekziston, pjesa më e madhe e europianëve sërish nuk ndiejnë se ka nevojë për rritjen e shpenzimeve ushtarake, pasi druhen se shtimi i trupave në luftën kundër terrorizmit do të nxisë më shumë urrejtje, e kjo e fundit nga ana e saj do të shtojë edhe më tej dhunën.

Brukseli ishte shënjestër e sulmeve terroriste të grupit Shteti Islamik në muajin mars, të cilat lanë 32 të vrarë në shpërthimet që goditën aeroportin dhe metronë e qytetit. ISIS-i ishte ai që sulmoi edhe Parisin nëntorin e vitit të kaluar duke lënë të vrarë 130 vetë.

Top Channel