Stadiumi i ri, PD: Prokuroria të hetojë

15/06/2016 00:00

Partia Demokratike këmbëngul në qëndrimin e saj sa i takon ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar. Përmes një deklarate për mediat, sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji, denoncoi atë që opozita e quan “akt korruptiv për ngritjen e kullës 24 katëshe”.

Partia Demokratike nuk kundërshton ndërtimin e një stadiumit të ri kombëtar, por thotë se ai duhet të bëhet me transparencë dhe në shërbim të publikut.

“Sot Edi Rama ka nisur shkatërrimin e stadiumit kombëtar me prepotencë, me arrogancë, më forcën e pushtetit që ka sot, por me përgjegjësinë që do të mbajë para ligjit nesër. Drejtësia vonon, por nuk harron. Ky është postulat që Edi Rama duhet ta dijë mirë  dhe duhet ta njohë. Nuk mundet që stadiumin e vetëm kombëtar të këtij vendi pa transparencë, pa tender, pa dhënë asnjë shpjegim një kompanie e cila nuk dihet se nga ka ardhur, një kompanie për të cilën nuk dihet se cilat janë procedurat që janë ndjekur për të përzgjedhur firmën fituese për ndërtimin e këtij projekti të stadiumit kombëtar, por që në fakt nuk është stadium, por një kullë 24 kate, kulla më e lartë në Tiranë e cila nuk mund të jetë as koncesion, as partneritet publik-privat. Sepse kjo kullë, nuk i kthehet publikut nesër, kjo kullë i mbetet përjetësisht firmës e cila do ta ndërtojë”, tha Salianji.

Salianji kërkoi nga Kryeministri Rama që të bëjë publike procesverbalin e mbledhjes së shoqërisë aksionere që, sipas tij, do ndërtojë kullën dhe pyet nëse janë ndjekur sipas ligjit procedurat për dhënien e lejes zhvillimore.

Sekretari për Aksionin Qytetar shtroi edhe disa pyetje në lidhje me këtë projekt që kryeministri ende nuk u është përgjigjur ndërsa shtoi se Partia Demokratike do ta ndjekë deri në fund këtë rast korruptiv deri në përgjigjen e plotë ligjore.

Në fund, sekretari për Aksionin Qytetar në PD kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme duhet të nisë hetimin për shpërdorim detyre dhe për përvetësim të pronës publike ndaj Edi Ramës dhe vëllait të tij dhe tha se për këto arsye PD do të bëjë kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme .

Top Channel