Vera nuk ka efekt vetëm marrje mendsh, madje konsumi i moderuar i saj këshillohet nga mjekët për shumë arsye, të cilave u shtohet edhe një tjetër.

Një studim britanik i publikuar së fundmi pohoi se një gotë verë në ditë ndihmon në forcimin e kockave pasi lufton sëmundje si osteoporoza.

Sipas studimit, duket se ka një lidhje midis dendësisë së kockës dhe rrezikut për frakturë, me dietën me të cilën ushqehemi gjatë jetës. Megjithatë, pije të tjera alkoolike, si alkoolet e forta dhe birra, nuk duket se japin ndonjë ndikim.

Studimi i realizuar nga “Universiteti Mbretëror të Londrës” hulumtoi të dhënat e grumbulluara nga 1 mijë çifte binjakësh, të gjithë në mesin e të 50-tave dhe bëri lidhjen midis dietës së ndjekur prej tyre dhe dendësisë së kockave.

Çështje të tjera dietike u morën në konsideratë, për të monitoruar se si janë ndryshimet që ndodhin në indin kockor, në rastin e grave që kanë kaluar menopauzën.

”Konsumimi i arsyeshëm i verës është i lidhur me rritjen e dendësisë minerale në kocka, ndërsa dieta e zakonshme sjell reduktimin në dendësinë e indit kockor, duke rritur mundësinë e prekjes prej sëmundjeve dhe frakturave”, shkruhet në përfundimet e kërkimit në fjalë.

Top Channel