Aligatori rrëmben fëmijën

15/06/2016 00:00

Pas vrasjes së këngëtares së “the Voice”, Vhristina Grimmie, dhe masakrës së klubit të homoseksualëve, Orlandoja e Floridës bëhet skenë e një tjetër ngjarjeje tronditëse: një fëmijë dyvjeçar është rrëmbyer nga një aligator, e ndonëse policia po e kërkon intensivisht, shpresat e gjetjes së tij janë të pakta.

Fëmija ishte duke qëndruar në bregun e lagunës “Shtatë detrat”, kur zvarraniku e ka sulmuar dhe e ka tërhequr në ujë. Babai i djalit ka hyrë në lagunë e është përpjekur t’ia shkulë të birin aligatorit, por pa sukses. Me dhjetëra policë dhe ekspertë të jetës së egër janë angazhuar në kërkimin e të miturit.

Familja me 3 fëmijë nga Nebraska po pushonte në brigjet e lagunës, kur ndodhi ngjarja e rëndë në orën 21:16 me atë lokale. Vendi ku ata ndodheshin, “The Grand Floridian” është një resort luksi në pronësi të “Disney”-t, e cila ndodhet shumë pranë parkut të këtij të fundit në zonë.

Një zëdhënëse e kompanisë tha se, drejtuesit e saj janë të “shkatërruar” nga incidenti. 22 vetë janë vrarë nga aligatorët në Florida që prej vitit 1948.

Top Channel