Masakra e Orlandos, pritet akuzë ndaj gruas së vrasësit. Kishte dijeni për krimin

15/06/2016 00:00

Bashkëshortja e vrasësit të 49 personave në Orlando të Floridës mund të akuzohet në lidhje me sulmin. Burime të cituara nga “Reuters” dhe “Fox News” thonë se, prokurorët kërkojnë ngritjen e një aktpadie ndaj Noor Salman për vrasje, për tentativë ndaj jetës dhe moslajmërimin e autoriteteve mbi masakrën që do të ndodhte.

Edhe pse Salman është marrë në pyetje nga policia pas episodit tronditës të së dielës, ajo nuk është arrestuar. Senatori Angus King, anëtar i Komitetit të Inteligjencës që është informuar shkurtimisht mbi rezultatin e deritanishëm të hetimeve, i tha “CNN”-it se bashkëshortja e Omar Mateenit mund të ketë pasur deri diku dijeni mbi planet e tij.

“Ajo është padyshim një person me interes në këtë ngjarje, e duket se po tregohet bashkëpunuese dhe mund të na ofrojë informacione shumë të vlefshme”, tha Angus King, senator.

Sipas “Fox News”, ka gjasa që Mateen t’i ketë telefonuar të shoqes nga brenda klubit, në kohën kur qëllonte mbi njerëzit aty. Gjashtë prej 53 personave të plagosur në masakrën më të madhe të këtij lloji në historinë e Shteteve të Bashkuara janë në gjendje kritike për jetën.

Të martën, mediet amerikane raportuan se Salman kishte shkuar bashkë me Mateenin për të blerë municione dhe e ka çuar me makinë në klubin “Pulse” në një rast tjetër përpara sulmit, sepse ai donte që ta vëzhgonte. Megjithatë, burime pranë saj pretendojnë se gruaja është përpjekur t’ia ndryshojë mendjen 29-vjeçarit, në mënyrë që të hiqte dorë nga planet e tij.

Top Channel