Arbitri i Shqipëri-Zvicër, më i dobëti i ndeshjeve të para të Europianit

15/06/2016 00:00

Arbitri i ndeshjes Shqipëri-Zvicër, spanjolli Carlos Velasco Carballo, ka marrë notën më të ulët nga të gjithë kryesorët në ndeshjet e para të këtij Europiani. Top Channel për herë të parë ka siguruar raportin zyrtar të ndeshjes dhe notën e arbitrit Carballo e cila është 7.83.

Kryesori është ai që ka marrë notën më të ulët në krahasim me asistentët e tij të cilët kanë marrë notë pozitive mbi 8. Por, cilët kanë qenë momentet kyçe të ndeshjes?

Rasti i kartonit të kuq të kapitenit Lorik Cana është vlerësuar si gabim i gjyqtarit. Carballo i nxori Canës kartonin e dytë të verdhë, por sipas raportit të vëzhguesit, Cana në atë moment duhej të merrte kartonin e kuq direkt pasi sulmuesi Seferovic dilte i vetëm përballë portierit dhe kishte shumë mundësi shënimi. Vëzhguesi përpiqet ta justifikojë veprimin e arbitrit me faktin se Cana gjithsesi doli jashtë pas 2 të verdhave.

Rasti i dytë është ai i kontaktit Lenjani-Lishtajner i cili në raportin e vëzhguesit është një rast 50 me 50. “Ka dy kontakte në momentin e afrimit të lojtarëve, njëri lartë, tjetri poshtë. Lenjani duket se rrëzohet për arsye të kontaktit poshtë për të cilin Lishtajner nuk është fajtor dhe kjo e çoi gjyqtarin për të marrë vendimin e vazhdimit të lojës”, thuhet në raport. Është një vendim i drejtë në mendimin e vëzhguesit.

Pikët pozitive janë se Carballo mbajti ndeshjen nën kontroll, por në disa momente gaboi me kartonët. Në minutën e 13 nxori një karton shumë shpejtë, ndërkohë që në minutën e 32 nuk ndëshkoi dhe as nuk sqaroi një moment faulli ndaj Elseid Hysajt.

Ne minutën e 65, Shqipëria pësoi një faull në krahun e majtë me Lenjanin, por gjyqtari vazhdoi lojën duke vepruar gabim. “Ai la lojën në vazhdim por pa sens sepse ishin dy sulmues me 6 mbrojtës. Shqipëria e humbi avantazhin më pas dhe për pak sa nuk pësoi golin e dytë. Velasco në këtë rast pati shumë fat që zviceranët nuk shënuan”, thuhet në raport.

Edhe komunikimi i tij me lojtarët ka lënë për të dëshiruar gjatë ndeshjes, Ajo që shpëtoi gjyqtarin në këtë takim është nota e mirë e asistentëve dhe fakti që nuk bëri gabime që mund të ndikonin në rezultat, për të tjerat nuk ishte as në nivelin mesatar.

Top Channel