Brazili shkarkon Dungën pas eliminimit shokues nga Kupa e Amerikës

14/06/2016 00:00

Ai u emërua në krye të pankinës së Brazilit me synimin për të rikthyer nderin dhe lavdinë e një kombi të tërë pas shpartallimit 7-1 nga Gjermania në Botërorin e vitit 2014, por një humbje 1-0 e ardhur pas një goli me dorë nga një lojtar i Perusë të dielën e kaluar, si dhe eliminimi shokues që në fazën e grupeve të Kupës së Amerikës, kanë bërë që Dunga të shkarkohet nga posti i trajnerit të “Seleçao”-s.

Dunga, i cili ka qenë kapiten i ekipit brazilian duke e udhëhequr atë drejt fitimit të Botërorit në vitin 1994, ishte rikthyer për herën e dytë në drejtimin e skuadrës në vitin 2014. Por eliminimini i papritur, për herë të parë që prej vitit 1987 nga kompeticioni i “Centenarios”, që shënon edhe 100-vjetorin e Kupës së Amerikës, duket se ka qenë i pakapërdishëm për drejtuesit e federatës.

Tashmë 52-vjeçar, ai ka drejtuar Brazilin edhe gjatë viteve 2006-2010, periudhë gjatë së cilës e fitoi një Kupë Amerike në vitin 2007. Tashmë pritet të mësohet pasuesi i tij, por zërat e parë flasin për trajnerin e Corinthiansit, Tite, si pretendentin për të marrë drejtimin e kombëtares. Ky i fundit, 55 vjeç, ka drejtuar klubin brazilian drejt fitimit të kampionatit në vitin 2011 dhe 2015, ndërsa triumfoi në Kupën Libertadores (ekuivalenti i Championsit) dhe Botërorit të Klubeve në vitin 2012.

Pasuesi i Dungës do të duhet ta nisë me udhëheqjen e ekipit të Brazilit U23, përfshi këtu sulmuesin e Barcelonës Neymar, në Lojërat Olimpike të muajit gusht në Rio de Janeiro. Por më e vështirë se kjo, do të jetë padyshim fushata për kualifikueset e Botërorit 2018 në Rusi, pasi në grupin kualifikues të Amerikës Latine, aktualisht Brazili mban vendin e 6.

Top Channel