Tensionet Turqi-BE, dorëhiqet i dërguari i Brukselit në Ankara

14/06/2016 00:00

I dërguari i Bashkimit Europian në Turqi dha dorëheqjen, në atë që shihet si një tjetër shenjë e trazimit të marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit, ndërsa ky i fundit po përpiqet të mbrojë marrëveshjen që ka ndikuar në reduktimin e fluksit të emigrantëve të paligjshëm në Europë.

Dorëheqja e Hansjoerg Haber vjen një muaj, pasi ai u thirr për sqarime nga Ministria e Jashtme e Turqisë lidhur me kritikat për mënyrën sesi Ankaraja po menaxhonte marrëveshjen për emigrantët.

Autoritetet turke konsideruan si fyese një shprehje gjermane, të cituar nga mediet lokale, që përshkruante problematikat me të cilat përballej plani për liberalizimin e vizave për turqit.

Shkaqet e largimit nuk janë konfirmuar, por një zyrtar i BE-së theksoi se, ato nuk ishin personale.

Turqia dhe BE-ja janë në bisedime për liberalizimin e vizave që prej vitit 2013 dhe ranë dakord në muajin maj të avancojnë negociatat, si pjesë e paktit për frenimin e emigracionit nga Turqia në BE. Por gjërat morën një rrjedhë tjetër, kur Brukseli këmbënguli që Ankaraja të reformojë ligjet e ashpra kundër terrorizmit.

Top Channel