Rusët sfidojnë kërcënimin e UEFA-s për përjashtim, sulmojnë sërish anglezët

14/06/2016 00:00

Tifozët “ultras” të Rusisë kanë sulmuar sërish fansa të Anglisë dhe Uellsit në qytetin e Lilles këtë herë, ndërkohë që këta persona të dhunshëm duket se po injorojnë edhe kërcënimet e UEFA-s për ta përjashtuar kombëtaren e tyre nga “Euro 2016”.

Fotografi nga vendi i ngjarjes tregojnë persona të shtrirë jashtë një lokali në qytetin verior të Francës, edhe pse po gjatë ditës së sotme Rusia është gjobitur dhe është kërcënuar me largim të parakohshëm nga turneu.

Shqetësimet mbi sigurinë e tifozëve janë rritur së tepërmi edhe për shkak se Anglia përgatitet të përballet me Uellsin në Lens, ditën e enjte, ndërsa Rusia do të luajë ndaj Sllovakisë në Lille, të mërkurën, pasi këto dy qytete janë vetëm disa kilometra (23 milje) larg njëri-tjetrit.

Dëshmitarë thanë se grupe rusësh kanë provokuar fansat anglezë, të cilët ishin ulur në lokalin pranë stacionit qendror të trenave në Lille. Anglezët nga ana e tyre janë kundërpërgjigjur duke u hedhur rusëve karriget, por situata është qetësuar menjëherë me mbërritjen e policisë.

Federatës ruse të Futbollit i ishte akorduar sanksione ekonomike pas trazirave të turmave të tifozëve, për shkak të fishekzjarreve të përdorura prej tyre, si dhe për racizmin e shfaqur prej rusëve në stadiumin “Velodrome” të Marsejës para, gjatë dhe pas barazimit 1-1 të së shtunës me Anglinë.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel