E korruptojnë shqiptarët, pezullohet drejtuesi i policisë në Itali

14/06/2016 00:00

Një prej figurave më një njohura të Policisë së Viçencës në Verilindje të Italisë, zëvendëskuestori Michele Marchese është pezulluar nga detyra, në kuadrin e një hetimi të brendshëm për korrupsion.

Sipas akuzës, ai ka favorizuar hyrjen pa dokumente të rregullta të disa shtetasve shqiptarë, në këmbim të furnizimit me kokainë.

Aktualisht superpolici, i cili ka drejtuar për 11 vite skuadrën më aktive të policisë dhe që është i njohur për aksionet e bujshme të nivelit të lartë kundër organizatave kriminale, është futur në regjistrin e të hetuarve dhe është pezulluar për një vit nga detyra.

Hetimi nisi atëherë kur në zyrën e tij u gjet një revole e paregjistruar dhe me numër serie të gërryer. Më pas, nga kontaktet telefonike dhe kontrollet rezultoi se, ai kishte lidhje me një furnizues droge.

Pikërisht për të paguar drogën, që mesa duket ish-zëvendëskuestori e përdorte për vete, ka nxjerrë dokumente dhe vërtetime të rreme.

Polici 44-vjeçar i është nënshtruar testeve që kanë vërtetuar marrjen e lëndëve narkotike dhe aktualisht nuk është përgjigjur e nuk ka dhënë asnjë shpjegim gjatë marrjes në pyetje.

Top Channel