Rama: Vetingu, vija e kuqe. Jo duart e partive në skanimin e drejtësisë

14/06/2016 00:00

“As i kemi pranuar as i pranojmë vendet e rezervuara, por kemi ofruar gadishmëri për të ofruar një zgjidhje për të përfshirë opozitën me përzgjedhje nga Kuvendit të asaj pjese të anëtarëve të të KLGJ dhe KLP që do të votohen nga trupa parlamentare. Për këtë zgjidhje jemi gati të negociojmë“.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një deklarate për mediat pasditen e së premtes. Kreu i qeverisë shtoi se Partia Demokratike “nuk është se thjesht i trembet reformës në drejtësi, por PD nuk do ta prishë vëllazërinë me prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar, të cilët i ka përdorur dhe i përdor për qëllimet e veta“.

“Nëse PD-ja e do reformën, mjafton ta votojë dhe duke pranuar të mos fusë duart e veta në procesin e radiografimit të gjykatësve dhe prokurorëve. PD nuk e do sepse i trembet dhe i bie të bëjë sakrificën e madhe të prishjes së vëllazërisë së gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar. Ky nuk është vetëm opinioni im, por është një opinion i gjerë publik i cili siç ju mund ta ndiqni pulsin e tij është përditë e më i acaruar për mosvotimin e reformës në drejtësi”, shtoi Rama.

“Sidoqoftë deri ditën kur PD të votojë reformën në drejtësi kjo e vetingut do të jetë vija e kuqe e pakapërcyeshme. O do bëjmë reformën në drejtësi dhe ta shembim këtë sistem nga themelet ose nuk do të votojmë asgjë të ngjashme që nuk garanton këtë qëllim të madh dhe që nuk garanton që në harkun e 10 viteve kur normalisht kemi ambicjen që Shqipëria të jetë anëtare BE”, tha Rama.

Top Channel