“Lufta” me qentë e rrugës. Veliaj: Vaksinimi po ul numrin e kafshëve

14/06/2016 00:00

Ankesave të qytetarëve të Tiranës për qentë e rrugës, kryetari i bashkisë Erion Veliaj i përgjigjet se numri i tyre po pakësohet falë vaksinimit dhe sterilizimit që u behët.

Por, nga ana tjetër, u bën thirrje qytetarëve të mos i vrasin apo të sillen barbarisht me ta.

“Për herë të parë, pas 5 vitesh, nuk po rritet më popullsia e qenve të rrugës. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka reduktuar me 1500 numrin e qenve në Tiranë. Reagimi histerik duke helmuar kafshët e rrugës dhe duke i vrarë, nuk ndihmon. Një kafshë e infektuar apo e vrarë që lihet në rrugë, infekton dhjetra herë më shumë sesa po e njëjta kafshë që është e gjallë”, shprehet Veliaj.

Kryetari i bashkisë ka kërkuar që kompetencat ndaj kafshëve dhe mjedisit të përqendrohen pranë bashkisë, me qëllim reduktimin e ndotjes: “Edhe qeveria duhet të jetë e vëmendshme kur i kërkon bashkisë të zgjidhë disa probleme. Duhen kaluar kompetencat e plota në mënyrë që bashkia të mos jetë e paralizuar”.

Në Tiranë u mbajt Konferenca Botërore e Shëndetit të Kafshëve, ku në fokus ishin edhe kafshët e rrugës.

Top Channel