Basha me Steinmeier: Pranimi i plotë i rekomandimeve të Venecias nga Rama mban peng reformën

14/06/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në një takim ministrin e Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier. Një vend të veçantë në takim zuri reforma në drejtësi.

Që në nisje të reformës, theksoi Basha, mazhoranca ka bërë gjithçka që të kapë politikisht sistemin. Kjo u faktua edhe nga Venecia, e cila rrëzoi draftin e parë të mazhorancës në plot 38 pika duke e konsideruar si një propozim që çonte në kapje politike të drejtësisë. Ndonëse Partia Demokratike i kërkoi mazhorancës të ulen dhe të miratojnë një draft të përbashkët, kjo u refuzua nga mazhoranca e cila solli edhe një draft të dytë të njëanshëm. Sërish Venecia faktoi shqetësimet e opozitës për kapjen politike, ndër të cilat edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilën Edi Rama e donte nën varësinë e ministrit të Brendshëm.

“Falë rolit të opozitës sot kemi një draft të përmirësuar dhe të dakorduar me përjashtim të një çështje: atë të zgjedhjes së institucioneve të reja. Partia Demokratike ka kërkuar zbatimin e plotë të Rekomandimit 88 të Venecias për këtë cështje. Edi Rama nuk ka demostruar vullnet për të pranuar zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias mbi moskapjen politike të drejtësisë. Pavarësia e sistemit të drejtësisë është një parim pa të cilin nuk mund të ketë reformë ndaj Reformë me kapje politike të sistëmit nuk mund të ketë. Ndaj në në takimet me Ramën dhe Metën kam parashtruar një dhe vetëm një kërkesë nënvizoi kreu i opozitës: zbatimin e plotë të Rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias”, i tha Basha ministrit gjerman.

Kryetari i Partisë Demokratike i bëri të ditur ministrit të Jashtëm gjerman tentativën e Edi Ramës për të shantazhuar dhe blerë vota nga deputetët e opozitës për miratimin në mënyrë të njëanshem të reformës në drejtësi. Kjo, theksoi kreu i PD do të jetë fundi i këtij parlamenti. Zoti Basha rikonfirmoi para ministrit të Jashëm gjerman qëndrimin e bërë publik se, nëse trafikohet qoftë edhe një mandat i opozitës atëherë opozita do të  djegë mandatet dhe do t’i drejtohet qytetarëve. Kryetari i PD theksoi se opozita ka demostruar të gjithë vullnetin për të gjetur zgjidhje siç rekomandon Komisioni i Venecias në rekomandimin 88 dhe se zbatimi i tij i plotë për të katër institucionet e reja është rruga e miratimit të menjëhershëm të draftit kushtetues.

Sipas PD-sw, në takimin me ministrin e Jashtëm gjerman zoti Basha u ndal edhe tek çështja e reformës zgjedhore. Kreu i demokratëve solli në vëmendje raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2015-ës ku theksohet se zgjedhjet nuk ishin as të lira- as të ndershme, pati shitblerje kartash identiteti, blerje vote, intimidim të votuesve dhe presion në qendrat e votimit nga persona me precedentë kriminalë, çka u faktua edhe nga përfasqësues të trupit diplomatik në Shqipëri. Në këto kushte, theksoi z.Basha votimi dhe numërimi elektronik janë zgjidhja e vetme për ti dhënë mundësi qytetarëve të shprehin të lirë vullnetin e tyre.

Top Channel