“Forbes”: Shqipëria, magnet për Kinën. Por investimet nuk vijnë pa kosto

14/06/2016 00:00

Shqipëria bëhet magneti i fundit i Kinës. Kështu e përkufizon prestigjiozja amerikane “Forbes” dyndjen e kapitaleve kineze gjatë muajve të fundit.

Revista vëren se, kompanitë kineze po zëvendësojnë partnerët tradiconalë ekonomikë të Shqipërisë, duke listuar të gjitha blerjet e bujshme, si koncesionin e Patos-Marinzës, atë të Aeroportit të Rinasit, por edhe projektin e Rrugës së Arbrit.

Por, edhe kapitali kinez nuk është falas. Sipas “Forbes”, shpesh investimet kineze janë një mjet për të eksportuar krahun e punës dhe kjo, sipas revistës, nuk është e panjohur për udhëheqësit politikë në Shqipëri, përfshirë Ilir Metën, të cilin e ka intervistuar.

“Kina është një partner i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë, por ne duhet të sigurohemi se po realizojmë marrëveshje të mira, të cilat gjenerojnë rritje ekonomike dhe krijojnë punësim për shqiptarët”, ka thënë kryeparlamentari.

Nga ana tjetër, shumë prej investimeve vijnë nga kompani në pronësi të qeverisë kineze, çfarë sipas revistës nuk duhet të kalojë pa u vënë re në korridoret e Brukselit.

Por, përkundër këtyre shqetësimeve, “Forbes” mendon se investimet kineze mund të shndërrohen në plotësuese të financimeve që vijnë nga Perëndimi, duke u bërë kështu një instrument i fuqishëm zhvillimi për Shqipërinë.

“E fuqizuar nga ndihma ndërkombëtare dhe ajo e SHBA-ve, muskujt financiarë të Kinës, si dhe me dyert e BE të hapura përpara saj, e ardhmja e Shqipërisë duket më e mirë nga e shkuara”, përfundon revista.

Top Channel