Ditari Kuqezi: Brek-sit

14/06/2016 00:00

Sokol Balla – Gjithmonë është një emocion i posaçëm të shkosh në Britani. Te Ishujt më saktë, siç pëlqejnë t’i quajnë vetë britanikët. Ata mendojnë se janë vërtet një ishull krahasuar me botën. I kanë dhënë Europës ndër shumë të tjera, edhe dy gjëra të mëdha: demokracinë dhe futbollin. Paradoksi është se ‎sot nga njëra duan të dalin, e nga tjetri (nga Europiani), duan t’i nxjerrin.

Paradoksi eurobritanik është më i dukshëm kur i hipën trenit Eurostar për në Londër. Nga Lille, ku nisem në mëngjesin e së hënës, stacioni londinez i St.Pancras është diçka më shumë se një orë larg. Por treni TGV kalon ndërkohë Calais, Tunelin e më pas Dover e Londër. Kalon vendqëndrimin e dikurshëm të mijëra refugjatëve të përzënë, kanalin miliarda paundësh, krenarinë dhe njëkohësisht simbolin e aferave korruptive euro-britanike dhe Doverin, ose murin e parë të ishujve britanikë që gjermanët nuk arritën ta kalonin kurrë. Sot, supershteti europian i drejtuar nga Berlini, po humbet sërish një betejë me Londrën, atë për ta mbajtur atë në Europë. Të martën sondazhet treguan se mbështetja për të dalë nga Europa është 6 pikë para mes britanikëve. 

Në stacionin e trenit Lille Europe (si një shenjë parandjellëse se aty shumë shpejt do të jetë kufiri mes saj dhe britanikëve mendjendryshuar), janë dy postoblloqe. I pari francez i Schengen e më pas të presin policët anglezë. Vdes kur shohin të dyja palët pasaportën dhe habiten me paradoksin e kapakut dhe asaj që shohin brenda dhe mezi mbajnë pyetjen për udhëtimet e shpeshta, që janë sigurisht në pjesën më të madhe për punë. Por ajo që më habit sa herë në Londër shkoj me tren, është se sa më shumë afrohet distanca kohore që i ndan, aq më larg duken dy botët që i ndan në mes një kanal, pak më i gjerë se ai i Otrantos.

Tani, ashtu si dikur në Otranto, shqiptarët kanë filluar të bëjnë popullorë gomonet, ndërkohë që ne jemi kthyer në targetin‎ e preferuar të atyre që mbështesin Brexit, ose Britain Exit from Europe, një nga dy alternativat që këtu do votohen javën e ardhshme në 23 qershor. Sot gazeta më popullore në vend The Sun, ka dalë publikisht në mbështetje të Brexit, me titullin çapkën: “Be Leave in Britain”. Një gazetë e njohur për tituj të tillë, (Be Leave – largohu – shqiptohet Biliv, ose njëlloj si believe – besoj‎ – pra besoni tek Britania dhe tek ikja e saj nga Europa është qëllimi i lojës së fjalëve) ajo merr guximin qytetar sot, për të mbajtur një qëndrim sa politik aq edhe patriotik. Shpjegon në pak rreshta se ka ardhur koha që gabimi i 43 viteve më parë të korrigjohet. Fton qytetarët të mos tremben nga ata që po i frikësojnë se ekonomia britanike do rrënohet nga ikja nga Europa. I kujton referendumin e 15 viteve më parë kur britanikët i thanë JO euros. Dhe ja ku janë sot. Britania, ekonomia e pestë në botë, e vetmja në Europë me këtë rritje dhe shkallë të ulët papunësie. Gjithë pjesa tjetër e Europës në krizë.

Ndërkohë, hakmarrja e Europës ka filluar. Një ditë më parë UEFA kërcënon Anglinë për përjashtim nga Europiani. Dhuna ka qenë e tifozëve rusë, por kjo ka pak rëndësi. Vendi që shpiku futbollin mund të përjashtohet. Ndryshe nga politikanët, Rooney dhe Hodgson i luten tifozëve të mos prishin punë: “Kemi punuar fort të vijmë deri këtu, dhe nuk duam të ikim”, thotë trajneri i “Luanëve” në një videomesazh. 

Ky, ishte Brexit sot!

Ndërkohë, 3000 kilometra nga Londra, në Tiranë, një gjerman paralajmëroi politikanët atje se po linin jashtë Europe vendin e tyre për shkak të bllokimit të reformës në drejtësi.

Një parti politike sulmon një media se nuk i kanë pëlqyer titrat.

Një kombëtare, ajo e Shqipërisë është prej katër ditësh në Europë. Ndryshe nga parlamenti i saj që përpëlitet me brekë nëpër këmbë mes të shkuarës dhe së ardhmes.

Ky, ishte Brek-sit sot!

Bye bye!

Top Channel